Gazeta Si – Roma e Erblira Bicit është kthyer në Serinë A të volejbollit italian të femrave. Me fitoren në Mondovì, skuadra e kryeqytetit ka mbyllur një sezon triumfues, ku protagoniste ka qenë pa dyshim edhe volejbollistja shqiptare.
Pas një viti Roma është rikthyer në nivelin më të lartë të volejbollit në vendin fqinj. Dhe e ka bërë në mënyrën më të mirë, duke fituar një Kupë Italie në A2, madje pa humbje. Skuadra e Bicit ka marrë pikë të plota në sezonin e rregullt dhe ka merituar vendin e parë.
Së fundi Roma fitoi në Mondovì, duke e siguruar ngjitjen dy javë para kohe. Bici dhe shoqet e saj e fituan ndeshjen 1-3 dhe më pas festa ishte e ligjshme për rikthimin në nivelin elitar të volejbollit italian.
“Ka qenë një sezon i jashtëzakonshëm, – ka thënë trajneri Xhuzepe Kukarini. – Dua të falënderoj klubin për atë që ka bërë. Vajzat janë treguar të jashtëzakonshme, jam shumë i kënaqur. Njerëzit shohin vetëm fitoret, por ne e dimë atë që na është dashur të japim në stërvitje për të arritur te ky rezultat”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.