Tarifa prej 2 eurosh e vendosur për hyrjen e turistëve dhe vizitorëve jo rezidentë në zonën e Fontana di Trevi ka hyrë në fuqi të hënën, duke shkaktuar reagime të kundërta mes autoriteteve vendore dhe shoqatave të konsumatorëve.
Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet vendore të Romës, nga ora 9:00 deri në orën 21:00 në zonën e monumentit kanë hyrë gjithsej 6.406 persona, prej të cilëve vetëm 86 ishin banorë të Romës dhe zonës metropolitane.
Autoritetet e Romës e kanë cilësuar pozitiv nisjen e sistemit të ri të vizitës, i cili përfshin jo vetëm biletën me pagesë prej 2 eurosh, por edhe rregullimin e fluksit të vizitorëve.
Sipas një njoftimi zyrtar, sistemi i pritjes ka qenë efektiv dhe ka mundësuar, nga ora 9:00 deri në 18:00, pritjen e mbi 5.000 vizitorëve, duke garantuar një përvojë më të rregullt, qëndrim më të lehtë në zonë dhe përmirësim të cilësisë së vizitës në një nga monumentet më të rëndësishme të Romës dhe trashëgimisë kulturore italiane.
Vlerësim krejt të kundërt ka dhënë organizata Codacons, e cila e ka quajtur masën një “dështim”. Sipas saj, numri i vizitorëve ka qenë shumë më i ulët se mesatarja ditore prej rreth 30 mijë personash, duke theksuar se “shumica e turistëve e refuzuan tarifën.
“Kjo ndodh sepse shumica e turistëve me sa duket e refuzuan taksën absurde prej 2 eurosh, e cila përfaqëson një monetizim të tmerrshëm të një vendi me interes historik dhe kulturor dhe shërben vetëm për të mbuluar pamundësinë e administratës për të mbledhur fonde për buxhetin e saj.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



