Lojëra me Dore

Roland Garros/ Gjokoviç s’gabon, në gjysmëfinale e pret “orteku” Tsitsipas

Novak Gjokoviç mundi Pablo Karrenjo Bustan dhe kaloi në gjysmëfinale të “Roland Garros”-it. Serbi fitoi 3-1 me sete (4-6, 6-2, 6-3, 6-4). Ai kaloi vështirësitë e setit të parë, ku ishte poshtë nivelit të tij. Pengesa e radhës për Gjokoviç do të jetë Stefanos Tsitsipas, i cili eliminoi Andrei Rublev.

Novak Gjokoviç. Gazeta Si, 8 tetor 2020

Pablo Karrenjo Busta nuk është një kundërshtar si gjithë të tjerët për Novak Gjokoviç. Emri i spanjollit sjell në vëmendje ndeshjen e “Us Open”, ku Nole u skualifikua pasi goditi me top gjyqtaren e linjës, kur loja ishte e ndalur. Serbi ka marrë “hak” dhe tashmë është në gjysmëfinale të turneut francez.

Fillimi nuk ishte i mirë për Gjokoviçin, i cili ndjeu dhimbje në shpatullën e majtë, ndërsa spanjolli ishte shumë agresiv dhe fitoi setin e parë 4-6. Më pas numri 1 në botë ishte i papërmbajtshëm dhe fitoi setin e dytë 6-2 për 38 minuta. Interesant ishte seti i tretë, ku serbi udhëhiqte 3-0, por u barazua 3-3, megjithatë e kaloi ngërçin dhe fitoi 6-3. Gjokoviç fitoi edhe setin e katërt 6-4 dhe mbylli ndeshjen në 3-1.

Stefanos Tsitsipas. Gazeta Si, 8 tetor 2020

Në gjysmëfinale ai do të ndeshet me Stefanos Tsitsipas, i cili bëri një paraqitje mjaft të mirë ndaj Andrei Rublev, duke u hakmarrë për humbjen në Hamburg. Greku, numri 6 në botë, e mbylli ndeshjen 7-5, 6-2 dhe 6-3. Ai ishte vërtet një “ortek” dhe ndeshja përfundoi në më pak se dy orë. Tsitsipas pati pak vështirësi vetëm në setin e parë, në dy setet e tjera nuk kishte histori. Ai përfitoi në mënyrën më të mirë nga gabimet e panumërta të rusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë