Kosova

Rohde: Nga tani Kosova do të përfaqësohet në CEFTA nga zyrtarët e saj

Nga Gazeta 'Si' - Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë të mërkurën se Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj nga tani në Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA).

Kosova është përfaqësuar në CEFTA përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) prej vitit 2007, kur iu bashkua asaj.

“Lajm vërtet i mirë për Kosovën dhe tërë rajonin: CEFTA është zhbllokuar dhe nga tani Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e vet, ashtu siç duhet, e jo nga UNMIK-u”, shkroi Rohde në X.

Ai tha se ky është “hap i madh” drejt përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në këtë organ rajonal.

Ky ndryshim, të cilin Kosova ka kohë që e kërkon, erdhi një ditë pasi Qeveria e Kosovës vendosi të heqë ndalesën ndaj importit të mallrave serbe në pikëkalimin në Merdare.

Kosova u përball me trysni në javët e fundit për ta hequr ndalesën ndaj mallrave serbe, posaçërisht nga Gjermania.

Gjermania ka këmbëngulur se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Procesin e Berlinit, një nismë që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t'i afrojnë ato me Bashkimin Evropian.

Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit mbahet më 14 tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë