Që motorsporti është diçka që lind me njeriun, kjo dihet tashmë. Ndaj dhe ne shqiptarët nuk bëjmë përjashtim, këtej dhe andej kufirit janë të shumtë pilotët amatorë dhe profesionistë që garojnë në disiplina gjysëm/zyrtare dhe zyrtare nën mbikqyrjen dhe çertifikimin e FIA-s. Lirim Zendeli është emri më i njohur, ende në aktivitet që garon për flamurin gjerman.

Endërra është Formula 1 por deri atje duhet një punë e madhe, e lodhshme, e vazhdueshme. Duhet motivim, durim, përpjekje dhe rezistencë ndaj pengesave të shumta që dalin rrugës. E mbi të gjitha kohë. Sa më lart i personifikon më së miri 9 vjeçari Rohan Yzeiraj. Në një kohë që moshatarët e tij (fatkeqësisht) kohën e kalojnë përgjithësisht me një celular në dorë, ai garon me 130 km/orë në kategorinë zyrtare Mini/ Micro Rotax.

Prej 3 vitesh kur spikati me talentin e tij në fqinjin jugor, Greqinë, djaloshi i nënshtrohet një plani strikt stërvitor dhe aktualisht bën pjesë në skuadrën italiane “Tony Kart/ Rotax Mojo”. Vendet e para nuk mungojnë në paraqitjet e Rohan Yzeirajt por objektivi i tij dhe njerëzve që e mbështesin është rritja e qëndrueshme dhe eskperienca, shumë të rëndësishmë në një sport të tillë ku adrenalina dhe rreziku janë shumë pranë.

Garat e rradhës për të janë fundjavën e ardhshme në Zvicër në datat 10-11 Maj dhe në Itali në datat 14-17 Maj. Konkurenca është e lartë dhe aktualisht Yzeiraj është në vendin e 8 në klasifikimin e përgjithshëm. Ndër rivalët e njohur të disiplinës mund të përmendim Robin Raikkonen (djali i Kimi Raikkonen) që garon me Rohan Yzeirajn. Djaloshin, emrin e të cilit shumë shpejt urojmë ta shohim në disiplinat dhe cilindratat më të mëdha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.