Gazeta Si – Në Rijad flitet për një marrëveshje të mbyllur dhe që së shpejti do të zyrtarizohet. Trajneri italian do të firmosë për 3 vjet, do të përfitojë 90 milionë euro dhe do të marrë me vete gjithë stafin e tij që kishte tek ‘axurrët’.
As dy javë pas dorëheqjes nga Italia, Roberto Mançini ka gjetur një skuadër të re. ‘Gazzetta dello Sport’, duke iu referuar burimeve arabe, shkruan se trajneri italian pritet të zyrtarizohet në stolin e Arabisë Saudite. Konfirmohen kështu zërat që dolën pas largimit të tij nga Italia. Mançini pritet të firmosë një kontratë 3-vjeçare, me rreth 30 milionë euro në vit.

Kontrata deri në vitin 2026 ka si projekt Botërorin që zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA, ndërsa në janar është Kupa e Azisë, ku Arabia ka pretendime serioze, pasi triumfi i fundit i saj nga 3 në total, i takon vitit 1996. Mançini do të marrë me vete në aventurën e re gjithë stafin e tij: Salsano, Lombardo, Nuçiari, Batara, Galiardi, Skanavino dhe ndoshta Oriali, duke parë që Spaletit i mjafton Bufon si sheh delegacioni.
Sipas mediave arabe, tratativat kanë nisur që në qershor, edhe pse Mançini e ka mohuar këtë fakt. Së shpejti pritet njoftimi zyrtar. Në këto raste në bisedime përfshihen direkt emisarë të familjes mbretërore dhe jo Federata saudite.
Ndeshja e parë e Mançinit në krye të Arabisë Saudite do të ishte ajo e 8 shtatorit ndaj Kosta Rikës, 4 ditë më pas miqësorja tjetër me Korenë e Jugut. Në nëntor nisin eliminatoret aziatike për Botërorin e 2026-ës, ku Arabia është në grup me Jordaninë, Taxhikistanin dhe një mes Kamboxhias dhe Pakistanit. Në janar zhvillohet Kupa e Azisë, në grup me Tajlandën, Kirgistanin dhe Omanin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




