Nga Gazeta ‘Si’-Të gjithë qytetarët e Ballkanit në vendet e ‘Unionit’ së shpejti do të mund të komunikojnë nga telefonat celularë me tarifa të reduktuara roaming.
Marrëveshja e cila do të zbatohet nga një tetori i vitit të ardhshëm u nënshkrua sot në Samitin e BE-Ballkanit Perëndimor në Tiranë.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku tha se brenda vitit 2024 marrëveshja do të jetë me Free Roaming. Kjo sipas saj, varet nga operatorët.
“Marrëveshja e sotme e integron rajonin tonë më shumë dhe më mirë, atë të qarkullimit të lirë, të mallrave, të ideve dhe ndërveprimeve ekonomike. Nuk do ishim këtu sot pa lokomotivën e këtij procesi që është Komisioni Europian.
Është frut i këtij bashkëpunimi edhe heqja e tarifave Roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në korrik të vitit 2021. Janë rritur në gjysmën e dytë të vitit me 96% të gjitha shkëmbimet dhe thirrjet brenda këtyre 6 vendeve. Heqja e këtyre tarifave ka krijuar kushte për investime më të mëdha në infrastrukturën telefonike. Të gjithë operatorët janë të përgatitur. Fillon me reduktim të tarifave dhe kalon me Free Roaming. Brenda 2024 do të jetë falas”, tha Balluku.
Bashkimi Europian u bë hapësira e parë e përbashkët që vendosi heqjen e tarifave roaming, duke filluar nga qershori i 2017-s.
Më shumë se 80 deputetë europianë i kërkuan Komisionit Europian në nëntor të këtij viti që të heqë tarifat e roaming për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Thomas Waitz, eurodeputet dhe bashkëkryetar i Partisë së Gjelbër Europiane, tha se Komisioni duhet të kontribuonte në një integrim më të fortë duke krijuar një zonë europiane të roamingut të lirë që përfshin Ballkanin Perëndimor.
“Ne kemi nevojë urgjente për një integrim më të ngushtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, dhe një hap për këtë do të ishte rrëzimi i barrierave në roaming”, tha Waitz.
“Kjo jo vetëm që do të ndihmojë në mbylljen e hendekut drejt BE-së, por gjithashtu do të pranojë pengesat e përditshme të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor që jetojnë dhe punojnë në BE, shpesh larg familjeve të tyre, për shkak të tarifave të shtrenjta të roaming”, shtoi ai.
Deri tani nuk dihen ende detaje të hollësishme se sa do të ulen tarifat dhe se si do të jenë çmimet e tyre por sipas marrëveshjes, operatorët celularë duhet të ofrojnë shërbime të rregulluara roaming sipas çmimeve përkatëse brenda vendit, në kohën që ata udhëtojnë në këto vende. Kjo vlen edhe për njësitë e komunikimit të paketave ofertë, që përdoruesit do të vazhdojnë t’i përdorin lirisht edhe në roaming.
Modeli i BE u ndoq nga vendet e Ballkanit Perëndimor
Modeli i BE-së u zbatua edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që në korrikun e vitit të kaluar, hoqën tarifat roaming vetëm brenda vetë këtyre vendeve, me sloganin “Fol si n’shpi”.
Iniciativa për heqjen e tarifave të roamingut për Ballkanin Perëndimor është marrë fillimisht nga Maqedonia, Bosnja Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat arritën një marrëveshje për uljen e çmimeve të thirrjeve telefonike jashtë vendit dhe më pas Shqipëria dhe Kosova shprehën gatishmërinë e tyre për t’u bashkuar kësaj iniciative.
“Heqja e barrierave është hapi i parë për pozicionimin e Ballkanit Perëndimor në hartën botërore të turizmit. Ne pyetemi shpesh se çfare bëri për turizmin heqja e tarifave Roaming në Ballkanin Perëndimor. Dhe ne themi se rajoni pa Roaming është një mundësi e madhe për të forcuar ofertat turistike e për të plotësuar politikat dhe praktikat progresive të turizmit në rajon.
Rritja prej 500% e përdorimit të datave telefonike pas “Roam Like at Home” nuk mund të neglizhohet”, tha atëhere Majlinda Bregu, Sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal (RCC).
Në një anketë të RCC, theksohej se vetëm 13% e shqiptarëve nga 6.000 të anketuar, janë të informuar mbi Roam Like at Home dhe përfitimet që ato kanë në vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas marrëveshjes së vitit të kaluar mbi reduktimin e tarifave celulare.
49% nuk kanë asnjë lloj informacioni mbi Roaming dhe 38% thonë se nuk e kanë dëgjuar kurrë këtë term.
45% e shqiptarëve që janë pyetur nga RCC vazhdojnë të fikin lidhjen e internetit celular (mobile data) sa herë lëvizin në vendet brenda rajonit edhe pse me Roaming kjo nuk duhet të ndodhë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




