Treg

Roaming europian u shpëton shqiptarëve 10 mln euro në vit

Nga Gazeta ‘Si’ – Marrëveshja për heqjen e tarifave roaming të vendeve të Ballkanit Perëndimor me ato të BE-së, do të reduktojë kostot për shqiptarët. AKEP tha për Gazetasi.al se kjo marrëveshje do t’u kursejë shqiptarëve rreth 10 milionë euro në vit sidomos në vendet si Greqia, Italia apo Gjermania ku prezenca e tyre është më e madhe.

“Konsiderohet si një fitore afatgjatë ekonomike”, thotë AKEP dhe përfitimet do të jenë gati në të njëjtat përmasa me heqjen e tarifave me vendet e rajonit.

LEXO EDHE:
Roaming falas – Si nisi historia që finalizohet në 2024-n

Shifrat historike e sugjerojnë këtë përfundim.

Sipas raportit të trafikut të të dhënave në roaming nga Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal (RCC), kostot totale që qytetarët kanë harxhuar duke përdorur shërbimet e roaming, janë 9 milionë euro në vit.

Raporti thekson se pas vitit 2019, kur në Samitin e II Digjital në Beograd u arrit firmosja e marrëveshjes Roaming mes vendeve të Ballkanit, kostot në 2020-n u ulën me 34%, në rreth 5.9 milionë euro.

58% të totalit të shitjes nga kostot e roaming në rajonin e Ballkanit Perëndimor e kishin telefonatat, 40% interneti dhe vetëm 2% mesazhet.

Nëse u hedh një sy tarifave të shërbimit të roaming nga operatorët shqiptarë shikon që çmimet e tyre mbeten të larta.

Në një vëzhgim që bëri Gazetasi.al në dy kompani të vetme celulare, “Vodafone” dhe “One” konstatoi se planet ditore për paketat europiane janë rreth vlerës 400 lekë, me vetëm 200 mb internet dhe 10 minuta hyrëse dhe dalëse.

Ndërsa planet javore me rreth 700 mb internet, janë rreth 800 lekë.

Sa e përdorin shqiptarët roaming?

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), gjatë tremujorit të tretë 2021 numri i qytetarëve që kanë përdorur shërbimet roaming në Ballkanin Perëndimor është rritur më pesë herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i përdoruesve të rrjeteve shqiptare që përdorën roaming në rajon arriti në 350 mijë në tremujorin e tretë 2021, ndërsa në tremujorin e katër arriti në pothuajse 400 mijë.

Ndërkohë, volumi total i thirrjeve të përdoruesve shqiptarë në roaming, në vendet e Ballkanit Perëndimor, arriti në rreth 4.5 milionë minuta për tremujorin e tretë 2021, shifër kjo pesë herë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në veçanti, thirrjet dalëse arritën në gati 2.4 milionë minuta, gati 10 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Efektet pozitive të reduktimit të tarifave të shërbimeve roaming janë pasqyruar edhe në rritjen e përdorimit të shërbimit të internetit gjatë qëndrimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë tremujorit të tretë 2021, volumi i internetit të përdorur në roaming e ka kaluar shifrën prej 103 mijë GB (gigabyte) internet, që përbën një rritje me 14 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 dhe 11 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Deri tani nuk dihen ende detaje të hollësishme se sa do të ulen tarifat dhe se si do të jenë çmimet e tyre por sipas marrëveshjes, operatorët celularë duhet të ofrojnë shërbime të rregulluara roaming sipas çmimeve përkatëse brenda vendit, në kohën që ata udhëtojnë në këto vende.

Kjo vlen edhe për njësitë e komunikimit të paketave ofertë, që përdoruesit do të vazhdojnë t’i përdorin lirisht edhe në roaming.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se të gjithë operatorët janë të përgatitur.

“Nga tetori të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësi të trajtohen si të gjithë qytetarët europianë në zonën e Roaming që janë në marrëveshje. Kontribuon në digjitalizimin e BE-Ballkani Perëndimor, një akt konkret që nga tetori do të jetë e prekshme, do ketë reformime të herëpashershme. Të gjithë operatorët janë të përgatitur. Fillon me reduktim të tarifave dhe kalon me Free Roaming. Brenda 2024 do të jetë falas. Kemi mirëkuptuar disa nga operatorët dhe afatet janë të vështira për t’u dhënë nga politikëbërësit”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë