Treg

Rivlerësimi i pronave shtyhet në 2025-ën, Malaj: Do të ndodhë pasi të caktohen çmimet e referencës nga të gjitha bashkitë

Nga Gazeta ‘SI’ – Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme nuk do të ndodhë brenda këtij viti.

Sipas ministrit të Financave, Petrit Malaj Rivlerësimi do të zgjasë edhe në 2025-n, pasi ende po vlerësohen çmimet referencë.

“Rivlerësimi i pasurive te paluajtshme do të bëhet paralelisht me caktimin e çmimeve të referencës për gjithë territorin e Shqipërisë, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë. Është një proces që do të zgjasë përgjatë vitit të ardhshëm kur të bëhen referencat e reja”, u shpreh ministri Malaj në Komisionin e Veprimtarisë i cili theksoi se Rivlerësimi dhe çmimet e referencës duhet të ecin paralelisht.

Ideja për Rivlerësimin 3% u rikthye gjatë pranverës së këtij viti nga deputetja Blerina Gjylameti dhe gjeti mbështetjen e socialistëve.

Kryeministri Edi Rama pak kohë më vonë lajmëroi se ky do të jetë Rivlerësimi i fundit dhe do të jetë 5 e jo 3%.

“Ne e kemi bërë dy herë këtë proces. Në thelb është një amnisti. Ka kosto të rëndësishme për buxhetin e shtetit. Kur bëhet rivlerësimi atëherë shmanget tatimi 15% për shitjet në vijim. Duke qenë se e para u bë se nuk ishin referencat e reja, sot me referenca të reja, mund t’ju japim të drejtë qytetarëve të kenë një shans të fundit. E rëndësishme është të konkludojë referencat edhe për qytetet e tjera dhe bregdetin. Brenda 45 ditëve e konkludojmë”, tha Rama në korrik, por ende nuk ka një të re nga çmimet e referencës.

Nga ana tjetër, ekspertët e tregut imobiliar kanë dëshmuar një bllokim të këtij tregu, pasi pronarët janë në pritje të Rivlerësimit për të shitur pronën e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë