PD e Rithemelimit proteston sot para Bashkisë së Tiranës, me të njëjtin motiv; largimin e Erion Veliajt. Mjetet që do të përdoren do të jenë të njëjta nga herët e kaluara, (nisur nga spoti i shpërndarë nga deputetët) ndërsa ndërkombëtarët kanë dënuar këto metoda.
E ftuar në A2 CNN, në emisionin “Debat”, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se opozita nuk e ka betejën me ambasadat, por me qeverinë.
Sipas saj, reagimet e tyre, nuk ishin gjë tjetër veçse “copy-paste” i deklaratave pas protestave të bëra më herët nga opozita.
“Është i njëjti deklarim me protestat e tjera të opozitës, 2019, nuk i kam bërë ndonjëherë (koment) deklaratave të ambasadave, dhe nuk e kemi betejën as me ambasadat, as me askënd tjetër, ne duhet të fitojmë betejën me opinionin publik, për të ngritur zërin për betejat e tyre. S’na votojnë ambasadat. Nuk do shqetësohesha për reagime për përfaqësitë diplomatike, ato kanë punën e tyre, ne tonën, ngrenë shqetësime duke parë nga pikëpamja e tyre, ne nga pikëpamja jonë”, tha Tabaku.
Megjithatë, edhe ajo thekson se beson më shumë te forca e fjalës dhe puna me qytetarët, se te forca fizike e përdorur.
Tabaku tha se nuk është dakord me sulmet me molotov te Bashkia e Tiranës, por është e mendimit se opozita do duhet të flasë me qytetarët të shpjegojë me detaje se si ka funksionuar kjo skemë dhe se çfarë opozita do duhet të bëjë në këtë rast. Për këtë qëndrim të saj, ajo tregon se e ka diskutuar me kolegët e saj, duke theksuar se ato po bëjnë çdo përpjekje për të ngritur frymën e opozitarizmit që sot mungon.
“Ajo tregon kulturën që është rrënjësor, nuk ka abuzim më të madh se ajo që ka ndodhur me skemën që ka përdorur Bashkia e Tiranës në këtë rast, të cilët ka pasur edhe raste të agresionit, nuk na e kanë fajin godinat, ne nuk e kemi betejën me godinat, e kuptoj që ka qytetar që duhet ta shprehin në këtë mënyrë, por unë besoj që duhet të punojmë me njerëzit, për të shpjeguar këtë skemë, për të treguar se çdo bëjmë ndryshe, për të ngritur frymën e opozitarizmit që sot mungon”, tha Tabaku në A2 CNN.
Për Tabakun, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duhet të merret në hetim.
“Jam e sigurt që një skemë e titull me drejtorë Bashkie, që marrin tendera për veten e tyre nuk është bërë në harresë të kryetarit të Bashkisë, përkundrazi është bërë me bekimin e tij, se ai është ose budalla ose arrogant sa ka lejuar që të vazhdojnë se asgjë s’do i prekë”, u shpreh Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



