Ajo shqiptare, ai nga Kazakistani. Bëhen bashkë në Bullgari për të kremtuar rrënjët e Europës Lindore, në videoklipin e ri “Bang”. Më shumë se një video, është një film i shkurtër dhe një mini-album. Më i vështiri që kam realizuar deri më tani, thotë këngëtarja nga Kosova Rita Ora.
E publikuar më 12 shkurt, në video Rita shfaqet me një kostum tradicional, realizuar nga stilisti i njohur shqiptar Valdrin Sahiti, ndërsa një sekuencë e shfaq me një palë çizme të kuqe me shqiponjën e zezë dykrerëshe në takë. Në skena të tjera, ajo performoi një koreografi me disa valltare, po ashtu me kostume tradicionale.
“Ishte nder të vishja një kostum të punuar me dorë nga stilisti Valdrin Sahiti. Nuk i ngjan aspak gjërave që kam veshur më parë, por ishte e rëndësishme të reflektoja autentiken në film”, ka thënë ajo.
Rita, e cila fshiu përmbajtjen e saj në Instagram para publikimit të videos “Bang”, e ka përshkruar si një “nga videot më të vështira dhe emocionuese që kam bërë. Ka shumë vendndodhje, ka shumë temperatura të ulëta, doja të bëja diçka vizualisht unike dhe të krijoja një film fantazi me një vend çudirash”, ka thënë këngëtarja, ndërsa skenat kalojnë nga godinat e zymta të stilit komunist, tek peizazhet kodrinore me kuaj dhe kostumet folklorike, tek skenat joshëse ku këngëtarja shfaqet me një fizik të patëmetë.
“Kjo EP është kremtim i rrënjëve tona nga Europa Lindore, të miat dhe të Imanbek”, ka thënë Rita, duke iu referuar producentit me të cilin ka bashkëpunuar për këtë projekt.
“Çdo gjë, nga melodia dhe muzika janë homazh i trashëgimisë sonë. Gjithçka kam bërë, kam vrapuar drejt Imanbek. Ajo që ishte e veçantë në këtë proces është se jam rritur me albume që ishin vepra, të bëra nga një producent dhe një artist, ku ndieja se jetonin dhe frymëmerrnin bashkë – Aaliyah dheTimbaland, Justin Timberlake dhe Pharrell. Gjithmonë më ka pëlqyer kjo, sepse ndihet shumë e çiltër, e përkushtuar dhe në fokus dhe mendoj se shfaqet në muzikë”.
Rita është shprehur se filmimet në Bullgari i dhanë mundësinë për të treguar arkitekturën e pabesueshme, skenat epike dhe peizazhet historike, “jam shumë e emocionuar që e ndaj këtë bukuri të kësaj pjese të botës si një homazh i historisë sime.”
Këngëtarja është padyshim e lumtur me fokusin tek muzika, pas muajve debati kur kërkoi falje publike pasi kishte thyer rregullat e bllokimit për festën e ditëlindjes së saj të 30-të. Aktualisht ka udhëtuar drejt Australisë për të rimarrë rolin si trajnere në versionin australian të The Voice.
Më 2020, këngëtarja nga Kosova publikoi këngën “Hoë To Be Lonely.” Kësaj here ajo erdhi me EP me katër këngë “Bang”. Ky projekt përveç producentit nga Kazakistani, Imanbek, ka të përfshirë Gunna, David Guetta, dhe këngëtarin brazilian- argjentinas Khea.
Një projekt global e ka quajtur Ora. “Unë në Londër, Imanbek në Kazakisan, Gunna në Los Anxhelos, Khea në Argjentinë dhe David Guetta, epo kush e di ku ndodhet ai, kurdoherë. Është projekt që shkon përtej gjuhës dhe kufijve gjeografikë, por disi mbetet i dashur dhe intim.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.