Ekonomi

‘Risku është zero’, Rama dhe Ibrahimaj ftesë qytetarëve të investojnë në bono dhe obligacione

Kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët shqiptarë që të konsiderojnë investimet në bonot e thesarit dhe obligacionet në Bankën e Shqipërisë.

Në një konferencë për media, sëbashku me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ai tha se rritja e normave të interesit është avantazh për të gjithë ata që duan të investojnë.

“Sot është një arsye pak e veçantë sepse është një moment që e kemi të nevojshme të informojmë publikun lidhur me momentin e mirë për të investuar në titujt qeveritarë. Ju e dini që jemi në një fazë të rritjes së normave të interesit dhe për këto arsye, pavarësisht shkaqeve, rritja e normave të interesit është një avantazh për ata që investojnë në bonot e thesarit dhe obligacionet që janë me risk zero.

Për këtë arsye Banka e Shqipërisë ka rihapur sportelet që t’ua lehtësojë individëve aksesin. Një hap pozitiv në funksion të kontaktit të drejtpërdrejtë me bankën qendrore por dhe një shenjë kuptimplotë që u jepet atyre që mund ta konsiderojnë investimin në bonot e thesarit dhe në obligacione”, tha Rama.

Ai u ndal edhe tek ndikimi që ka shkaktuar lufta në Ukrainë në ekonominë e vendit. Rama u shpreh se është përballuar me sukses kriza energjetike, pasi çmimi është mbajtur i pandryshuar për familjarët dhe bizneset e vogla, ndërsa shtoi se është mbajtur nën kontroll inflacioni që është më i ulët se vendet e tjera.

Ndërsa Ibrahimaj u shpreh se përfitueshmëria sot është më e madhe se një vit më parë.

Në funksion të kësaj, ajo tha se shumë shpejt do të nisin një fushatë sensibilizuese për të dhënë informacione lidhur me përfitimet dhe procedurën që duhet të ndjekin qytetarët.

“Kemi folur shumë për rritjen e çmimit të energjisë dhe inflacionit që kanë prekur popullatën dhe për masat që qeveria ka marrë, por nuk kemi prekur elementin e normave të interesit.

Që prej nisjes së luftës, bankat qendrore filluan të rrisin normat bazë të interesit, kështu dhe BSH ka rritur normat në fillimit të vitit, nga 0.5% në fillim të vitit sot është 2.75%.”

Ibrahimaj u shpreh se bonot dhe obligacionet janë titujt që emetohen dhe garantohen nga qeveria shqiptare dhe do të ketë sportele në bankën e Shqipërisë si dhe një hapësirë në faqen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që qytetarët të informohet për kushtet dhe procedurat që duhen ndjekur.

Ajo shtoi se është shumë e rëndësishme që individët të kenë një kulturë të menaxhimit të parasë që të kujdesen për financat familjare dhe të jenë investitorë të zotë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë