Fatjon Rupi – Lista e kuqezinjve të grumbulluar nga trajneri Reja për ndeshjet me Spanjën dhe Gjeorgjinë, edhe pse bëhet fjalë për dy miqësore, ka në vetvete disa mesazhe për të ardhmen e Kombëtares. Përfshirja në listë e tre debutuesve Kristjan Asllani, Adrian Bajrami dhe Elhan Katsrati, por edhe rikthimi i sulmuesit Xhakamo Vrioni, tregojnë se ku do të bazohet trajneri italian.

Fakt është tashmë se Reja ka luksin të zgjedhë lojtarë për formacionin e titullarëve, por edhe alternativat më të mira për stolin. Kjo gjeneratë lojtarësh që Shqipëria ka aktualisht ia jep këtë luks dhe ia heq dhimbjen e kokës në rastet kur Kombëtarja do të ketë mungesa. Koha kur thirreshin lojtarë sa për të plotësuar numrin i përket së kaluarës.
Pse Asllani? Grumbullimi i këtij lojtari ishte logjik dhe i pritshëm. Mesfushori 19-vjeçar po luan titullar me një ekip të Serisë A, Empolin. Kaq mjafton për ta bërë pjesë të Kombëtares A. Është një rast i përafërt me atë të Armando Brojës, me ndryshimin që nuk kemi të bëjmë me një lojtar që elektrizon me gola, por me një lojtar shumë potent në masfushë, që shkatërron dhe ndërton, ashtu siç duhet të jetë sot mesfushori modern i qendrës.

Kristjan Asllani mund të jetë lojtari ideal për të luajtur në krah të Bares në Kombëtare, duke zëvendësuar shumë mirë Klaus Gjasulën, duke u alternuar me të, ose duke luajtur të tre bashkë në formacion. Forma e momentit, mosha shumë e re dhe interesimi i klubeve big në Itali e favorizojnë Asllanin për të luajtur me fanellën kuqezi para Laçit, ose Ramadanit. Eksperienca që do të fitojë duke luajtur në miqësoret e radhës, do ta kompletonte profilin e këtij lojtari.
Pse Bajrami? Në Kombëtaren bëhen tani dy Bajramë, ku fantazistit Nedim Bajrami i shtohet edhe mbrojtësi i qendrës Adrian Bajrami. Edhe ky është një lojtar shumë i ri në moshë, 19 vjeç, dhe vjen nga një emër i madh i futbollit europian, siç është Benfika (U-23). Elementë që shpjegojnë vendimin e trajnerit Reja për ta pasur në listë.

Adrian Bajrami është një lojtar që Shqipëria e ka bërë të vetin para se këtë gjë ta bënte Zvicra. Ai ka parametrat e duhur për të qenë një zëvendësues shumë i mirë i të tre mbrojtësve që luajnë aktualisht në formacion: Gjimshiti, Kumbulla dhe Ismajli. Në mos titullar, është një vlerë e shtuar edhe në stol.
Pse Kastrati? Në rastin e portierit 25-vjeçar zgjedhja e trajnerit Reja është për faktin se ai duhet të ketë 3 portierë në grumbullim. Përveç Strakoshës dhe Berishës ai ka preferuar që këtë herë të ftojë portierin që mbron portën e Çitadelës në Itali dhe jo Gentian Selmanin që luan në Turqi dhe që ka kaluar një dëmtim kohët e fundit.

Pse rikthimi i Vrionit? Sulmuesi i Juventusit ka bërë një paraqitje të mirë në Austri, ku është huazuar. Ai ka shënuar thuajse rregullisht dhe në Kombëtëre mund të jetë një alternativë e mirë, duke qenë se fiziku i tij ngjason me atë të Cikalleshit, lojtarit veteran të Kombëtares shqiptare.
Të gjitha këto zgjedhje të trajnerit Reja tregojnë qartë se ai kërkon ta freskojë më shumë grupin, por me elementë që kanë një të ardhme të sigurt dhe që mund të ingranohen menjëherë. Ai synon gjithashtu që Kombëtarja të jetë sa më solide dhe e dubluar në çdo rol, me qëllimin që ta rritë nivelin e saj në Ligën e Kombeve, që nis në qershor dhe kuqezinjtë janë në grup me Rusinë (e pezulluar aktualisht), Islandën dhe Izraelin.
Por mbi të gjitha kuqezinjtë duhet të jenë plotësisht gati për eliminatoret e Europianit 2024.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




