Me marrjen e presidencës nga Alban Xhaferi, klubi i Vllaznisë ka pasur një organizim ndryshe. Dhe ky organizim ka përfshirë edhe ekipin e të rinjve, apo ekipin U-21, që është në prag të kampionatit të ri. Risia e klubit verior është se në krye të këtij ekipi ka emëruar një trajner anglez, Dean Sibson.
Prezantimi i tij është bërë sot nga drejtuesit e Vllaznisë, ndërsa puna ka filluar më herët. Anglezi 34-vjeçar ka luajtur futboll gjysmëprofesionist në vendin e tij, siç ka pohuar edhe vetë, ndërkohë që karrierën e trajningut e ka nisur në moshë të re, madje në disa klube të kategorive inferior ka bërë si rolin e trajnerit, ashtu edhe të menaxherit.

Sibson ka thënë gjatë prezantimit se e ka pranuar me kënaqësi ftesën e Vllaznisë dhe se është përshtatur shpejt me Shkodrën. Ai do të fokuset te përgatitja sa më e mirë e elementëve për skuadrën e parë të Vllaznisë. Vllaznia njihet për faktin se ka një nga fidanishtet më të mira në vend të talenteve dhe tani puna me akademinë ka hyrë në një fazë të re, shumë më të organizuar.
Vllaznia synon që të fitojë titullin kampion në Superiore, por edhe të ketë një bazë të shëndoshë nga sistemi zinxhir, që në të ardhmen e afërt të blejë sa më pak futbollistë nga qytetet e tjera dhe nga jashtë vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




