Risia e listës së trajnerit të Kombëtares Shqiptare, Edy Reja, është padyshim emri i Marco Molla. Portieri që është prodhim i akademisë së Bolonjës nuk është i panjohur për publikun shqiptar, teksa më 30 tetor të 2018-ës, Marko Molla bënte një bujë të madhe në ambientin kuqezi, pasi braktisi ekipin U-17 shqiptar, për të luajtur tek moshatarët e Italisë.

I lindur në Itali më 19 Qershor 2002, i riu me origjinë nga Shkodra, karrierën e nisi tek të rinjtë e Prato, skuadra e qytetit të tij të lindjes. Sapo mbushi 16 vjeç, portieri u transferua te U-17 e Bolonjës. Paraqitjet e mira me ekipin italian bënë që përfaqësuesja italiane ta afronte në ekip, me të cilin është aktivizuar në 14 ndeshje për Italinë e 17-vjeçarëve dhe në 3 ndeshje me Italinë e 18-vjeçarëve. Me kombëtaren italiane është aktivizuar si titullar edhe gjatë Botërorit e 17 vjeçarëve që u zhvillua në Brazili.

Ka qenë vetë trajneri Reja që ka folur me djaloshin e talentuar dhe familjen e tij. Fjalët e teknikut, e sidomos premtimi se mund të bashkohet me kombëtaren A, kanë bërë që ai të ndërrojë mendje.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




