Futboll

Risia e UEFA, Superkupa e Europës do të gjykohet nga një femër

Në botën e futbollin po fryn një erë e re dhe ajo ka ngjyra femërore gjithmonë e më shumë. Pas suksesit të madh që pati kampionati Botëror i femrave këtë verë në Francë, e fituar nga SHBA, është UEFA ajo që po përgatitet për të bërë një hap të madh.

Për herë të parë në historinë e futbollit europian një finale e madhe do të arbitrohet nga një femër. Do të jetë pikërisht, Stéphanie Frappart e cila do të drejtojë finalen e Superkupës së Europës, e programuar për tu zhvilluar në 14 gusht mes Liverpulit dhe Çelsit.

Logo e finales Uefa Super Cup 2019 – Gazeta Si, 2 gusht 2019

Më herët femrat kanë arbitruar ndeshje të nivelit të lartë në futbollin e meshkujve, madje edhe si kryesore, por kaq lart asnjëherë nuk kishte shkuar. Francezja Stéphanie Frappart hyn kështu në histori dhe njëkohësisht thyen një tabu të futbollit europian, pasi më herët një gjë të tillë e kishte bërë në Francë, duke marrë përsipër gjykimin e ndeshjeve të rëndësishme në Ligue 1.

Stéphanie Frappart duke gjykuar ne Ligue 1 – Gazeta Si, 2 gusht 2019

Ndër cilësitë kryesore që vlerësohen më shumë te Frappart është përgatitja e saj e lartë fizike, por edhe karakteri i fortë në administrimin e momenteve delikate gjatë një ndeshje. Më herët në futbollin e femrave, ajo ka drejtuar ndeshje në të gjitha nivelet, duke i hapur vetes mundësinë për të kaluar në futbollin që ka vlerë, në atë të meshkujve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë