Ekonomi

Rishqyrtohet Koorporata e Investimeve, PD: Do të vjedhë pronat e shqiptarëve

Pak muaj më parë FMN ka sugjeruar në lidhje me krijimin e Koorporatës së Investimeve, rishikimin e propozimeve me qëllim shmangjen e rreziqeve ndaj buxhetit dhe për integritetin e kuadrit të menaxhimit të investimeve publike. “Në formatin që është, projektligji do të lejonte qeverinë të merrte vendime individuale për investime, të cilat mund ta shndërronin AIC në një instrument shpenzues jashtë buxhetit, që do të rrezikonte të anashkalonte proceset e menaxhimit të investimeve publike. Në vend të kësaj, kuadri duhet të sigurojë që Koorporata të veprojë në baza komerciale dhe të jetë një zgjatues i qeverisë. Ligji duhet të afirmojë pavarësinë e Koorporatës në vendimet operative dhe në përzgjedhjen e projekteve individuale të investimeve”- do të rekomandonte Fondi.

Qeveria duket se reflektoi lidhur rekomandimet e FMN-së dhe Komisionit Europian dhe sot Komisoni për Ekonominë dhe Financat ka nisur shqyrtimin për draftligjin që krijon dhe bën të funksionojë Korporatën Shqiptare të Investime.

Draft që pasqyron edhe kritikat e bëra nga Komisioni Europian, duke përfshirë në të tre modele prokurimi në varësi të mënyrës së financimit, gjithsesi nuk ndryshon kapitalin fillestar prej 360 milion lekësh që do të nxirret nga Buxheti i Shtetit.

Gjatë mbledhjes ka pasur diskutime të thekshme pasi Zv.Ministri i Financave Elton Haxhi ka deklaruar se krijimi i Korporatës së Investimeve është marrë si shembull nga shtete si Jordania apo Singapori dhe jo nga vende të Bashkimit Europian.

Projektligji fillestar për krijimin e Korporatës Shqiptare të Investimeve e cila do të menaxhojë pronat publike është kritikuar nga FMN, Banka Botërore si dhe nga ekspertë të tjerë vendas të ekonomisë për shkak se linte hapësira për abuzim.

Ndryshimet

Ndryshimi më i rëndësishëm në projektligj është ai që ka të bëjë me prokurimet. Në draftligjin fillestar ishte parashikuar që korporata, edhe pse një kompani publike, mund të prokuronte investime pa iu nënshtruar ligjit të prokurimeve.

Në projektligjin e ri të paraqitur sot në Komision, neni është ndryshuar tërësisht duke sqaruar se për projektet me partnerë ndërkombëtarë do të zbatohen rregullat e tyre të prokurimeve, ndërsa për ato me financim të brendshëm do të zbatohet ligji shqiptar i prokurimeve.

Drafti fillestar për korporatën e investimeve u dërgua në komisionet parlamentare për votim në muajin korrik. Por qeveria e tërhoqi projektligjin nga votimi në minutat e fundit për rishikim. Në projektligjin e ri janë bërë 12 ndryshime, të cilat synojnë të ulin rreziqet e korporatës dhe të forcojnë disiplinën e saj financiare.

Reagimi i PD-së

Ish-deputetja e partisë demokratike Jorida Tabaku në një deklaratë për mediet është shprehur se ky projektligj është në kundërshtim të plotë me kushtetutën dhe ka si synim gllabërimin e pronave publike.

“Megjithëse drafti që po diskutohet ka disa ndryshime në raport me variantin e parë, këto ndryshime janë të llojit estetik që në thelb nuk ndryshojnë frymën dhe qëllimin e Korporatës, pra kalimin e të gjtihë pronave në duart e një njeriu. Drafti që sot diskutohet në Komision është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e RSH. Kjo pasi ai kundërshton sigurinë fizike të pronës, qoftë ajo private apo shtetërore. Korporata është thjesht maska me të cilën Rama vesh fytyrën e vërtetë të ligjit, një krijesë e tij dhe qeverisë për të gllabëruar pronat publike dhe më tej ato private të shqiptarëve”, është shprehur Tabaku. “Sipas projektligjit qeveria shqiptare i jep të drejtën vetes që të krijojë këtë korporatë dhe më pas do t’i kalojë asaj me VKM trojet apo pronat e caktuara nga autoriteti lokal apo ministror në fondin e saj. Sipas një varianti të Ligjit, do të jenë këto prona që do të jenë kapitali i kësaj korporate në treg”, tha Tabaku.

Për Tabakun, pronat në bregdet apo në zona të lakmuara të vendit mund të gllabërohen nga KISH gjoja për interesa publike për t’iu dhënë disa “investitorëve” të huaj që do të bashkëpunojnë me KISH (pra kryeministrin).

Sipas saj, projektligji për KISH është vazhdimësia e një rruge të nisur me ligjin për investimet strategjike (që ua vjedh pronën pronarëve për t’ua falur gjoja investitorëve), Ligji për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës të vitit 2015, ligjet me emrat e biznesmenëve që janë votuar këto 2 vitet e fundit masivisht në parlament.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë