Politike

Rinisja e Kuvendit, Begaj mesazh deputetëve: Zgjedhjet të zhvillohen sipas standardeve

Nga Gazeta ‘Si’- Presidentit Bajram Begaj, iu drejtua sot deputetëve me një mesazh në rinisjen e sesionit të ri parlamentar që është edhe i fundit për këtë legjislaturë.

Në fokus të mesazhit të tij është apeli për vijueshmërinë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimin më 11 maj të një procesi zgjedhor të drejtë e të sigurt dhe sipas standardeve të OSBE-ODIHR-it, rritjen e cilësisë së demokracisë, stabilitetin ekonomik e politik, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

“Reformat e ndërmarra duhen ndjekur hap pas hapi, shërbimet duhet të përmirësohen pa humbur vëmendjen dhe pa neglizhuar prioritetet. Puna e pandërprerë për sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe drejtësinë sociale, është punë për të ndërtuar një Shqipëri më të fortë, më të drejtë dhe më të integruar në familjen evropiane.

Situatat gjeopolitike na kujtojnë se kemi nevojë për cilësi të demokracisë, stabilitet ekonomik e politik dhe zhvillim të qëndrueshëm, jo vetëm si qëllim në vetvete, por edhe në funksion të rolit të shqiptarëve si faktor paqeje e stabiliteti në rajon.

Shqipëria dhe Kosova si shtete, dhe të gjithë shqiptarët, nuk mund veçse të jenë aleatët më të besueshëm në rajon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, sepse ky është detyrimi ynë historik. Shpreh mirënjohje që u dhatë mundësi shqiptarëve të Diasporës të përfshihen në jetën politike të vendit dhe të kontribuojnë me votë për të mirën e përgjithshme”, tha Begaj.

Lidhur me zgjedhjet e 11 majit, ai ftoi partitë politike që t’i zhvillojnë zgjedhjet në përputhje me ligjin dhe tha se cilësia e tyre duhet të tejkalojë çdo ndasi e të mbizotërojë mbi çdo interes partiak.

“Sesioni i ri parlamentar përkon me zgjedhjet e datës 11 maj. Është e kuptueshme që agjenda politike e zgjedhjeve të jetë në qendër të vëmendjes. Zgjedhjet janë ngjarja më e rëndësishme në një demokraci.

Ato testojnë pjekurinë e forcave politike dhe të institucioneve, ndaj le të përpiqemi t’i japim vendit një proces zgjedhor të drejtë e të sigurt, ku të garojnë alternativat, ku votuesi të respektohet, ku vota të shërbejë për të zgjedhur, ku fituesi reflekton modesti e përgjegjësi, dhe humbësi vetëpërmbajtje.

Ju ftoj që këtë proces ta kryejmë me maturi, paqe dhe respekt për vlerat demokratike. Shpreh besimin se i kemi të gjitha mundësitë që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me ligjin dhe sipas standardeve të OSBE-ODIHR-it. Ky nuk është opsion, është detyrimi që ka klasa politike ndaj shqiptarëve”, tha Begaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë