Gazeta Si – Serbët lokalë të veriut të Kosovës janë mbledhur dhe kanë dalë në rrugë në orët e para të kësaj të hëne për të kundërshtuar sërish kryetarët e rinj shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 23 prillit.
Nga pamjet shihet se ka nisur grumbullimi i qytetarëve serbë përpara godinave të komunave, ndërsa policia e Kosovës dhe KFOR janë gatishmëri, me këtë të fundit që ka shtuar prezencën në terren për të parandaluar një përshkallëzim të mundshëm.



Nga sot po ashtu pritet që nxënësit serbë të bojkotojnë shkollën, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç mbrëmjen e djeshme tha se i druhet një konflikti të madh në Kosovë.
Tubimi i tyre vjen pas asaj çka ndodhi të premten, ditën kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore kanë dalë në punë në zyrat e tyre.
Kjo nuk u prit mirë nga banorët serbë të asaj pjese të Kosovës, gjë që bëri që situata të dalë jashtë kontrollit.
Ndërkaq trupat e KFOR-it kanë rrethuar dhe marrë në mbrojtje godinat komunale në Veri të vendit.
Pjesëtarë të KFOR-it janë pozicionuar sot në mëngjes edhe në veri të Mitrovicës, nga ura kryesore në lindje-perëndim.
Kësisoj në gjithë rrugën në drejtim të Lagjes së Boshnjakëve dhe Tre Rrokaqiejve janë vendosur dhjetëra autoblinda.
Qytetarë serbë në këmbë dhe në mënyrë të organizuar janë nisur nga Mitrovica në drejtim të Zveçanit.
Sipas mediave kosovare, në godinën e komunës në Zveçan, policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e njerëzve.
Mes të pranishmëve vihet re dhe kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq i cili ka biseduar dhe me drejtuesit e KFOR në lidhje me situatën.
Ai tha se kërkesa e serbëve është që kryetari i ri i komunës, Ilir Peci, të mos hyjë në objektin komunal, si dhe kërkoi nga KFOR-i që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet speciale nga kjo zonë.
Tensionet nisën disa ditë më parë, pasi në 4 komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet e 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi zgjedhjet u bojkotuan nga partitë serbe.
Katër kryetarët shkuan në zyrë, por kjo u shoqërua me tensione, që përfunduan me 5 policë të plagosur dhe një retorikë të ashpër mes 2 qeverive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




