Sociale

Rinis mësimi me kohë dhe orë të plota në shkolla pas protestës së prindërve

Thuajse pas dy vitesh pandemi dhe nën efektin e protokolleve anti-Covid, java e dytë e sistemit parauniversitar ka nisur me kohë dhe orë të plota 45 minutëshe këtë të hënë, 4 tetor.

Vendimi u mor pak ditë më parë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe u bë publik nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi pak ditë më parë, pasi u analizua situata e vaksinimit të mësuesve dhe pedagogëve.

Vendimi erdhi edhe pas protestës së prindërve, të cilët u organizuar dhe mblodhën mijëra firma, ku kundërshtonin oraret e shkurtuara dhe mësimin me turne.

Pikërisht në javën e parë të mësimit me turne dhe orë 25 minuta, u bë prezent revolta e prindërve që kundërshtuan këtë sistem mësimdhënieje.

Megjithatë, edhe pse Ministria e Arsimit vendosi të hiqen mësimet me turne, në disa prej shkolla do të ketë mësim paradite dhe pasdite sikundër dhe para pandemisë.

Kjo, pasi disa shkolla janë ende në fazë rindërtimi pas dëmtimeve të marra nga tërmeti i 2019-ës, por edhe për shkak të numrit të lartë të nxënësve në shkolla të caktuara.

Edhe pse mësimi do të vijojë normalisht, autoritetet kanë bërë thirrje që të zbatohen masat anti-Covid për të parandaluar infektimet e mundshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë