Futboll

Rindërtimi i Romës, kush ikën dhe kush qëndron

Jashtë Champions, dy trajnerë brenda një sezoni, çështja De Rosi dhe problemet me ndërtimin e stadiumit… Roma mund ta quajë 2018-19-n, një sezon të dështuar që tani. Ekipi roman verën që vjen pritet të përfshihet nga një revolucion i vërtetë me shumë largime dhe afrime. Mediet Italiane i kanë projektuar që tani lëvizjet që klubi verdhekuq pritet të bëjë në verë. Janë plot 13 futbollistë, mes të çilëve një pjesë do largohen dhe një pjesë tjetër pritet të zbarkojnë në Romë.

Lista e atyre që ikin këtë verë nga Roma sipas CdS është si më poshtë:
Robin Olsen
Aleksandar Kolarov
Kostas Manolas
Javier Pastore
Steven Nzonzi
Nicolo’ Zaniolo
Edin Dzeko

Në mesin e këtyre futbollistëve, disa janë jashtë projektit të ri, si Kolarov, Pastore apo Olsen. Ndërsa për tre të tjerët është hapur porta për t’u larguar, por për ta duhet të vijë oferta bindëse. Më i fortë diskutimi në këtë pikë është për talentin e marrë nga Inter, Nicolo Zaniolo. Për 19-vjeçarin do duhej të vijë një ofertë mbi 40 milionë euro që Roma të mund ta lëshojë. Për Xhekon siç po përflitet çdo gjë do të varet nga qëndrimi ose largimi i Ikardit nga Inter, pasi boshnjaku shikohet si zëvendësuesi i tij në Milano.

Ndërsa kjo është lista e atyre lojtarëve që do të tentohen të merren nga Roma këtë verë:
Alessio Cragno
Gianluca Mancini
Luca Pellegrini
Nicola Nkoulou
Sandro Tonali
Nicolo’ Barella

Mosha mesatare e tyre nuk i kalon 25 vjeç, çka dëshmon një ndryshim shumë të fortë në kursin e merkatos romane. Nëse vitin e shkuar u shpenzuan shuma të mëdha parash në lojtarë mbi 30 vjeç dhe me eksperiencë, këtë herë duket se gjërat do të ndryshojnë. Në fokus do të jenë talente të rinj premtues për të ardhmen. Më veçanërisht do të ketë një përqendrim te të rinjtë e talentuar Italian, pa përjashtuar ata të nacionaliteteve të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë