Sezonin e kaluar Ajax zhvilloi kampionatin më të dobët prej dekadash. Në këtë moment hyri në lojë Francesco Farioli, traineri italian që ja doli brenda një kohe të shkurtër ta shndërrojë sërish në skuadër pretendente për titullin. Kjo falë ridimensionimit të lojës në mbrojtje. Ajax e mbylli në vendin e 5 Eredivisie-n e një viti më parë – klasifikimi më i dobët prej sezonit 1999-00. Mesatarja e pikëve ishte 1.65 për ndeshje, më e dobëta prej edicionit 1964-65 (bazuar në fitoren prej 3 pikësh). Pas një fushate të tillë shkatërruese, drejtuesit emëruan Francesco Farioli-n në vend të John van ‘t Schip.

Diçka e papritur pasi italini u bë i pari i huaj në krye të Ajax pas danezit Morten Olsen në vitin 1998. 35 vjeçari erdhi nga Nice në Ligue 1 pasi e shndërroi atë në një nga mbrojtjet më të forta franceze me vetëm 29 gola të pësuar dhe 17 ndeshje me portën e paprekur. Objektivi i Ajax ishte që Farioli ta ngrinte skuadrën në statusin e një prej 3 skuadrave të para dhe sigurimin e një vendi në turin paraeleminator në UEFA Champions League 2025-2026. Deri tani ai është në rrugë të mbarë. Për të tjera, dihet që duhet ende kohë.

Prej mesit të Dhjetorit, Ajax fitoi 31 pikë nga 11 ndeshje në Eredivisie, 8 më shumë se Go Ahead Eagles (23) dhe çka është më e rëndësishme, pothuajse dy herë më shumë se PSV Eindhoven (16 në 11 ndeshje). Kur duhen edhe 8 ndeshje deri në fund, Ajax kryeson me 6 pikë nga vendi i dytë dhe nesër në Eindhoven do të provojë në mos ta rrisë, ta ruajë këtë diferencë. Dikur legjendari Alex Ferguson deklaronte – “Sulmi të fiton ndeshje por mbrojtja titullin”. Aksiomë të cilën Farioli e ka zbatuar 100% te Ajax i tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.