Nga Gazeta Si – Ndryshim i sistemit zgjedhor? Jo! Rimandatim i prokurorëve të SPAK-ut? Jo! Kjo është përgjigja e PS për dy reformat e rëndësishme që presin të marrin përgjigje në Kuvend, reforma zgjedhore dhe ndryshimi i disa ligjeve të drejtësisë. Të parën, çështjen e sistemit, e kërkon PD e Rithemelimit. Të dytën, e kërkon kreu i SPAK-ut. Por kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, përmes së cilës kalojnë të dyja kërkesat, në një intervistë për Gazeta Si, dha argumentet pse kërkesat janë të parealizueshme.
“Parashikimet që kemi sot në Kushtetutë dhe në Kod Zgjedhor janë në përputhje me standardet dhe nuk shoh arsye për t’i ndryshuar. Për më tepër, në sistem nuk mund të bëhen ndryshime 1 vit para zgjedhjeve” tha zonja Bushka, duke rrëzuar kërkesën për rikthimin e koalicioneve të përbëra, ku zgjedhësi ka mundësi të votojë për një parti të koalicionit, në vend që të votojë psh vetëm listën e koalicionit të PD, ku janë përfshirë të gjitha partitë me të njëjtën sigël. Në lidhje me kërkesën e rëndësishme të kreut të SPAK-ut për rimandatimin e prokurorëve të SPAK-ut zonja Bushka tha se kërkohet ndryshimi i Kushtetutës dhe, tani për tani, PS nuk është e gatshme ta prekë atë. Sipas Kushtetutës, prokurorët e SPAK-ut kanë një mandat 9 vjeçar pa të drejtë përsëritje. Në intervistën për Gazeta Si, zonja Bushka foli dhe për mungesën e bashkëpunimit me opozitën për hetimin e koncesioneve në shëndetësi.
Gazeta Si: Që kur ka nisur puna e komisioneve hetimore në Kuvend, ka një progres shumë të ngadaltë, në rastin e TIMS-it, ose bllokim si tek komisioni për koncesionet në shëndetësi. Ka PS një rol frenues për hetimin parlamentar?
Klotilda Bushka: Gjithë problemi qëndron tek qasja që kanë anëtarët e komisionit me hetimin parlamentar. Qëllimi duhet të jetë që të kuptohet a funksionojnë shërbimet, si po realizohen dhe qëllimi fundit i Kuvendit duhet të jetë sesi po përfitohet shërbimi nga qytetarët, çfarë problemesh vihen re në praktikë. Në fund, të kuptojmë sesi ne, si Kuvend, në rolin legjislativ dhe si mbikqyrës parlamentarë do të duhet të përmirësojmë apo të vëmë në dijeni publikun për gjithçka që hetohet. Hetimi parlamentar nuk mund të barazohet me një hetim tjetër! Nëse duam hetim, të gjithë duhet të zbatojnë ligjin.
Gazeta Si: Sa po e zbaton PS ligjin, kur në rastin e koncesioneve në shëndetësi u kryen dy mbledhje brenda ditës, njëra u thirr nga kryetarja e opozitës dhe tjetra nga PS, pasi u largua nga mbledhja e parë?
Klotilda Bushka: Qasja për hetimin parlamentar duhet të jetë ajo që parashikon ligji. Ky është problemi. Nëse opozita nuk po i përmbahet parashikimeve ligjore për një hetim parlamentar dhe po bën retorikën politike në një hetim parlamentar, maxhorancës i intereson hetimi sipas parashikimeve ligjore. Është qasje e gabuar e opozitës që komisionin hetimor parlamentar ta përdorë për qëllime politike, kur ajo duhet përdorur për qëllime të interesit publik. Përsa i përket PS, ne nuk kemi asnjë vendim politik për t’u bërë pengesë për hetimin parlamentar. Unë kam qenë në grupin e negociatave për ngritjen e komisioneve hetimore dhe rishikimin e objektit sipas parashikimeve kushtetuese dhe ne kemi të gjithë vullnetin për të vijuar me hetimin parlamentar. Nuk kemi synim për të bllokuar apo për ta braktisur komisionin. Ajo që ne kërkojmë është zbatimi i ligjit dhe respektimi i parimit të hetimit parlamentar.
Gazeta Si: Në lidhje me reformën zgjedhore, ku jeni e përfshirë direkt si pjesë e Grupit të Dialogut, cili është qëndrimi i PS për propozimin e PD të Rithemelimit për të kthyer sistemin zgjedhor me koalicione të përbëra siç ishte 4 vjet më parë?
Klotilda Bushka: Ne mendojmë që në sistemin zgjedhor aktual, sipas parashikimeve kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor nuk duhet të bëhen ndryshime. Për më tepër, standardet e Venecias kërkojnë që elementët thelbësorë të sistemit zgjedhor, nuk duhet të ndërrojnë një vit para zgjedhjeve. Në lidhje me koalicionet zgjedhore, ne mendojmë që Kodi Zgjedhor i ka parashikuar të gjitha garancitë e subjekteve politike për të qenë së bashku në koalicione zgjedhore. Këto ndryshime kanë marrë atëherë edhe miratimin e Komisionit të Venecias, duke i cilësuar si në përputhje me standardet. Ndërsa sistemi me koalicione të përbëra që kërkon tani PD, nuk është tërësisht në përputhje me standardet, pasi bënte një deformim të votës. Personalisht, besoj se parashikimet që kemi sot në Kushtetutë dhe në Kod Zgjedhor janë në përputhje me standardet dhe nuk shoh arsye për t’i ndryshuar.
Gazeta Si: Çështjen e sistemit zgjedhor PS e ka vijën e kuqe? Mund të negociojë gjithçka, por jo rikthimin tek sistemi zgjedhor i para vitit 2020?
Klotilda Bushka: Më duhet të përsëris që sistemi zgjedhor nuk mund të ndryshojë një vit para zgjedhjeve. Për më tepër, sistemi aktual nuk ka ndonjë defekt. Vullneti i qytetarëve shprehet drejt dhe qartë nga formula e tij, si dhe ka marrë vlerësime pozitive nga ekspertët vendas dhe të huaj, përfshirë Komisionin e Venecias. Ky është opinioni im personal, por gjykoj se i njëjtë është edhe i kolegëve të tjerë nga PS. Megjithatë, Grupi i Dialogut është një arenë diskutimi për të gjetur sa më shumë konsensus. Le t’ia lëmë rezultatet atij grupi.
Gazeta Si: Sot po flitet shumë për reformën në drejtësi dhe rezultatet e saj, por në komisionin e ligjeve, ju po drejtoni një grup pune për të ndryshuar disa ligje me kërkesë rë institucioneve të drejtësisë. Pse nuk ka akoma një produkt?
Klotilda Bushka: Grupi teknik, me deputetë të maxhorancës dhe të opozitës, ka një dakordësi për të adresuar shqetësimet e institucioneve të drejtësisë për çështje që ata i shohin se kanë nevojë për përmirësime ligjore. Ne kemi bërë pjesë të grupit të punës edhe partnerët tanë, si nga BE, edhe nga SHBA për të pasur një dakordësi edhe me ta. Draftet e para që ndihmojnë sistemin të funksionojë më mirë janë bërë gati nga ekspertët, janë shkëmbyer komentet e para dhe presim opinionin e partnerëve tanë për një rishikim të dytë, që besoj na vjen këto ditë. Mendoj se ka ardhur koha të intensifikohet pak puna, pasi edhe ndryshimet ligjore duhet t’i shërbejnë mirëfunksionimit, pasi sa më shumë kalon koha, çështjet ngelen dhe kapin njëra-tjetrën.
Gazeta Si: Është gati PS të pranojë kërkesën e kreut të SPAK-ut për përsëritjen e mandatit 9 vjeçar të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, si dhe të garantojë karrierën e tyre në sistem pas mbarimit të mandatit? Janë të përfshira këto në draft?
Klotilda Bushka: Jo, e para nuk është. Ajo që është pjesë e diskutimeve dhe ka një lloj dakordësie ka të bëjë me një paqartësi në ligjin organik të Strukturës së Posaçme Antikorupsion që, çfarë ndodh me prokurorët e SPAK-ut, pasi mbarojnë mandatin e tyre. Si rregull, duhet të kthehen aty ku ishin, por me hartën e re gjyqësore dhe me strukturën e re të drejtësisë janë suprimuar disa prokurori, përfshirë edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, prandaj duhen qartësuar disa gjëra. Dhe ky shqetësim është pjesë e draftit tonë. Sugjerimi ynë është që puna e tyre të vijojë në Apele ose në Prokurorinë e Përgjithshme. Ne po presim mendimin nga ekspertët e BE dhe SHBA. Në lidhje me mandatin e prokurorëve të SPAK-ut, mandati është i parashikuar në Kushtetutë dhe grupi i punës nuk ka objekt ndryshimet kushtetuese. Rekomandohet që Kushtetuta të mos ndryshohet pa mbaruar në tërësi procesi i vettingut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



