Ngjarje

“Rilindja” e Kosovës shkund pluhurin 75-vjeçar

Aty shkrimtarët shqiptarë kishin kodin e tyre hermetik që shumë vonë u kuptua nga serbët

Sabina Veizaj – Është e ligsht se si rëndësia e “Rilindjes” së Kosovës si organ shtypi, si shkollë gazetarie e jo vetëm e si shtëpi botuese, në jetën politike e kulturore të shqiptarëve të anës tjetër të kufirit, nuk njihet aspak në Shqipëri.
Studiuesja dhe shkrimtarja e re kosovare Ervina Halili, vullnetarisht ndër vite ka arritur të koleksionojë atë çfarë ka mbetur prej “Rilindjes” së asokohe, dhe ua ka treguar jo vetëm nostalgjikëve
Ervina Halili ka prezantuar projektin e saj “Arkivi Rilindja” dje (të mërkurën) në sallën Aleks Buda të Akademisë së Shkencave të të Rinjve në bashkëpunim me Shtëpinë Studio Kadare në ditën e 75-vjetorit të organit “Rilindja”.
Takimi u moderua prej Ana Shkrelit nga Shtëpia Studio Kadare dhe Sokol Xhunga nga Arkiva e Shtetit.

Ana Shgkreli, Ervina Halili, Sokol Xhunga

Ngjarja nisi me dokumentarin, i cili rrëfente përmes dëshmive të gjalla të shkrimtarit Nazmi Rrahmani, drejtor i redaksisë së botimeve në Rilindje (1941) dhe shkrimtarit Musa Ramadani, redaktor i kulturës në Rilindje (1943) rëndësinë e “Rilindjes” (1945-1999) si gazeta e parë në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi, organ i cili në kohët më të rënda për kulturën dhe politikën e Kosovës, ka kryer funksione të mëdha në të dyja këto drejtime.
Dokumentari i realizuar nën autorësinë e vetë Halilit përcillte nostalgjinë e rrallë të asaj kohe të rëndë e të vështirë për popullin shqiptar të Kosovës, i cili njëkohësisht gëzonte një kohë të artë të kulturës që zhvillohej me përmasa të mëdha; librat përktheheshin e botoheshin dhe gazetat e Rilindjes përpos në Kosovë shpërndaheshin edhe në Maqedoni e Mal të Zi.
Shkrimtarët do të tregonin me lotët në sy në dokumentar se si e përjetuan si një tragjedi mbylljen e “Rilindjes” më 1999-ën.

Ndoshta është ndër periudhat e vetme historike ku letërsia dhe shtypi kanë patur forcën e madhe për të ndikuar në sistem e politikë duke patur parasysh që edhe vetë lideri historik i Kosovës, Ibrahim Rugova e themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës në zyrat e “Rilindjes” pasi ai ishte kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve asokohe.

“Shkrimtarët shqiptarë të cilët kanë pasur një gjuhë alegorike, hermetike që nuk mund të botoheshin në Tiranë, asokohe janë botuar nga “Rilindja”. Gjuha nuk ishte thjesht gjuhë kulturore, sepse sikur të ishte thjesht dhe vetëm gjuhë kulturore, do të ishte e dekoduar edhe nga autoritetet. Është një gjuhë mitesh. Musa Ramadani ka një libër që quhet “Vrapuesja e Prizrenit, Anton Pashku i kthehet gjithmonë miteve, shkon deri tek mitet ilire, greke. Mitet janë thjesht justifikim për alegorizmat e tij. Është gjuhë e cila flet përmes ndërdijes kolektive dhe emocionit që ata e kanë ndërtuar përmes miteve. Është tipik motivim, inspirim i gjuhës së Martin Camaj. Kam pyetur edhe në arkivin e Shqipërisë për dokumente që ma konfirmojnë këtë gjë. Intervista e Musa Ramadanit që është intervistë 3 orëshe, rrëfen se si shokët e tij në Shqipëri nuk arrinin të botoheshin sepse përfundonin si hermetikë dhe pikërisht për këtë “Rilindja” i botonte sepse nuk ndiente asnjë rrezik.”- tregon Halili gjatë bisedës ku flet se si ndikonte “Rilindja” asokohe në jetën e popullit Kosovar si në aspektin kulturor dhe politik.

Pra shkrimtarët që ishin një rrezik real përsa i përket botëkuptimit të tyre për lirinë dhe të drejtat, që ishin për një sistem demokratik gjë që cenonte sistemin diktatorial shqiptar, nuk botoheshin në Shqipëri, ata botoheshin nga “Rilindja” sepse ishin të padekodueshëm nga sistemi diktatorial Jugosllav. Pavarësisht se gazeta në vetvete shpërfaqte linjën e sistemit, shkrimtarët që botoheshin edhe pse ishin kundra sistemit botoheshin sepse ishin të pakuptueshëm për të. Kjo ishte edhe fuqia dhe roli i jashtëzakonshëm i atyre shkrimtarëve në atë kohë, pasi duke qenë formalisht brenda sistemit, arritën ta shfrytëzonin atë duke e rrëzuar sistemin, gjë që në Shqipëri nuk ndodhi.

Këtë fakt e mbështeti edhe Sokol Xhunga përmes materialeve arkivore duke cituar relacionin dhe arsyet e mosbotimit në Shqipëri të një vëllimi me poezi të një poeti kosovar .”Krahas poezive të mira që tregojnë vuajtjet e kosovarëve për liri, gjen edhe mjaft poezi të pabotueshme. Nga 97 poezi, mbi 50 janë me të meta, të papërcaktuara në kohë e vend. I persekutuar është heroi lirik, gjuha që flitet për Kosovën është e paqartë, poezi formaliste, mangësi idesh, të meta që i bëjnë të pabotueshme këto poezi”, do të lexonte Sokol Xhunga.

Gjatë mbrëmjes ishte i pranishëm edhe gazetari Kosovar Sabaudin Krasniqi, të cilit në vitet “90 iu besua nga pala kosovare të çelte “Rilindjen” në Tiranë dhe Zvicër.
Ai tregoi po me nostalgji se si u krijua në ato vite ai organ i rëndësishëm në Shqipëri e Zvicër.

Ervina Halili dhe Sabaudin Krasniqi

Ervina Halili më tregoi mandej se është në përgatitje e sipër të pjesës së dytë të dokumentarit me dëshmi nga gazetarët që kanë punuar asokohe në “Rilindje”.
Halili sqaron se “Ky nuk është arkivi zyrtar i Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja. Arkivi i kësaj Ndërmarrje me gjithë hallkat e veta dikur funksionale, nuk është trashëguar në ditët tona. Ky material është mbledhur me shumë kujdes mes hirit e pluhurit të gjithçka je që deri më tani është konsideruar e papërdorshme, e humbur prej “Rilindjes”, por që është prodhuar nga vetë ajo, nga gazetarët që ka prodhuar, shkrimtarët që ka botuar, redaktorët dhe fotografët.”
Koleksionet e Halilit në këtë arkiv i përkasin periudhës së mbas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, i gjërave që edhe ndoshta nuk janë mbuluar nga vetë Rilindja, sepse ajo kishte kriteret e saja politike, por kanë ekzistuar, gjëra që ndoshta mund të jenë fshehur diku, pa dashje, por tani, mund të flasin shumë.

Përparësi e këtij arkivi është Redaksia e Botimeve të Rilindjes, që në një formë edhe e ka jetësuar komunitetin e shkrimtarëve të Kosovës së periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos pas hapjes së revistës letrare Jeta e Re duke e nxitur krijimtarinë lertare, kritikën, përkthimin dhe ndërkomunikimin letrar.
Materialet arkivore janë nxjerrë si rezultat i një hulumtimi shkencor historik e gjurmimi nëpër arkiva zyrtare dhe nëpër arkiva personale të vetë shkrimtarëve a gazetarëve ose trashëgimtarëve të tyre.

Projektimi muzeal i këtij arkivi, dokumenton:

  • Jetën sociale përmes: fototekës dhe veçanërisht fotografive personale.
  • Jetën intelektuale përmes: videotekës, intervistave, dorëshkrimeve.
  • Jetën politike përmes: vetë veprimtarisë së shkruar dhe fotografive zyrtare të revistave dhe gazetave, rrjedhës historike të shtypit dhe dokumentimit të tij përmes historisë orale.

Filozofia dhe psikologjia kolektive e një populli, komuniteti a një kulture, mund të shihet mbase vetëm pasi të jetë kthyer koka pas, jo duke i lexuar faqet e një gazete si Rilindja, por duke e dokumentuar atë që ndoshta humbiste mes rreshtash pa pasur mundësi të shkruhej në gazetë mirëpo që shkrepej paqëllimshëm në sytë e fotografuar të njerëzve, letrat që këmbenin dhe mënyra sesi e shkruanin letërsinë. Letërsia është dokumentimi më besnik i një shoqërie edhe kur është e tëra hermetike siç ka qenë ajo e kësaj periudhe të gazetës Rilindja në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë