Politike

’Rilindja e industrisë Ushtarake’/ Disa asete të ushtrisë, në funksion të investimit privat

Kryeministri Edi Rama nuk la pa prekur gjatë fjalës së tij edhe ndërhyrjen në modernizmin e ushtrisë. Në këtë kuadër, ai foli edhe për disa prona të braktisura të ushtrisë shqiptare të cilat sipas tij do të vihen në funksion të turizmit dhe agroturizmit

“Sot e ardhmmja e afërt është më premtuese se asnjëherë dhe dua të nënvizoj edhe një drejtim tjetër, ku ne do të fokusohemi fort në vitet drejt Shqipërisë 2030. 

Rilindja e industrisë ushtarake. Ushtria jonë bëhet rëndom objekt lajmesh e muhabetesh mediatike pa bereqet, për nxjerrjet nga plani i përhapjes i pronave e aseteve të degraduara, të panevojshme, të pakuptimta, që kanë mbetur si kokallat mbi tokë të kufomës së Ushtrisë Popullore të Enver Hoxhës, i cili do bënte luftë me superfuqitë e me tërë fuqitë ushtarake të planetit.

Në dijeni time, plani i asaj lufte ka dështuar dhe mesa i njoh unë programet e të gjitha partive në Shqipëri, nuk di që ndonjëra të ketë në plan t’i hapë luftë gjithë botës. 

Janë bërë abuzime të mëdha në vite, patjetër, me mënyrën sesi janë përdorur ato prona që janë nxjerrë nga plani i përhapjes, kjo as nuk diskutohet, por ama nuk më rezulton që nga nxjerrja e tyre në vetvete ka ndodhur ndonjë hata për misionin e ushtrisë sonë. 

Ashtu sikundër nuk më rezulton, patjetër, që ka ende prona dhe asete të degraduara ushtarake të cilat nuk do t’i duhen kurrë një ushtrie të NATO-s si e jona dhe janë shëmbëlltyra më kuptimplotë e një gjynahu të madh që nuk futen në shërbim të ekonomisë së turizmit dhe të agroturizmit, në radhë të parë, por edhe në shërbim të sektorëve të tjerë, të arsimit për shembull, por rrinë si fantazma sa në majë të maleve e sa afër deteve tona..."

Për arsyet sa më sipër Rama shtoi: “Në një bisedë që pata me disa kryetarë bashkish, jo të forcës sonë politike, Puka, Fushë-Arrëz, Memaliaj, zona të thella, diskutuam edhe për këtë; reparte ushtarake si fantazma të cilat bashkitë e zonave malore mund t’i kthejnë fare mirë në asete për të kërkuar mbrapsht investime nga emigrantët e këtyre zonave në fushën e turizmit apo agroturizmit. Madje absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro preventive, në emër të NATO-s një investim me rëndësi strategjike, 200 milionë euro, rreth, në limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për Marinë turistike dhe është pjesë e Programit tonë qeverisës, ndërkohë që prej 2 a 3 vjetësh rri i bllokuar se hetohet mënyra sesi është lidhur kontrata. 

Unë nuk dua të komentoj, nuk e bëj asnjëherë, arsyet e atij hetimi, kjo nuk është puna ime, ama nuk duhet një diplomë në juridik për të kuptuar se të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje, aq më tepër ta bësh këtë në emër të NATO-s dhe të sigurisë kombëtare, duke e bërë NATO-n të qeshë, kur e dëgjon këtë histori dhe duke ndërhyrë në kompetencën e një pushteti tjetër të pavarur, i cili është sovran në vendimmarrjet e veta për sigurinë kombëtare.

Ky është një arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte shtetit shqiptar qimet e kokës në rast se investitorët e huaj do të ishin cinikë ta çonin në Arbitrazh, por e solla këtë këtu për faktin se kjo buron nga një arbitraritet që shkon shumë përtej horizontit të një hetuesi dhe lidhet me një mendësi të vjetër dhe të gabuar për mbrojtjen e kohëve të sotme dhe për atë që duhet të bëjmë ne në funksion të mbrojtjes..". 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë