Ekspozite

‘Rikujtim’-një instalacion për emigracionin

Njerëz që lëshojnë vendet e tyre, për t’u shndërruar në nomadë që e dinë nga nisen por nuk e dinë ku do të mbërrijnë. Një plagë sa lokale po aq dhe globale e cila e ka bërë njerëzimin të reflektojë jetën e tjetrit, atij i cili vjen nga një realitet në një tjetër realitet shpesh si nevojë e rrallë si dëshirë.

Nga Gazeta “Si”– Tema e emigrimit ilegal , ka ngacmuar jo pak artistë në botë për ta rrokur këtë temë në mënyra të ndryshme, dikush me letërsi, dikush me muzikë e dikush me instalacion dhe performancë, siç ka bërë dhe artistja shqiptare Bora Baboçi.

Instalacioni i ideuar në kuadër të Festivalit Art Explora Durrës “Nga qytetet dhe gratë: Frymë, këmbanë, ujëra” , kuruar nga Arnisa Zeqo dhe  prodhuar nga “Anima Pictures”  paraqet një kontenier i vendosur në portin e Durrësit , prej të cilit dalin zëra, thirrje por dhe muzike vajtuese që të ngjall krupën, dhe që jo pak herë ka çuditur edhe qytetarët e painformuar.

Njerëz që lëshojnë vendet e tyre, për t’u shndërruar në nomadë që e dinë nga nisen por nuk e dinë ku do të mbërrijnë. Një çështje sa lokale po aq dhe globale e cila e ka bërë njerëzimin të reflektojë jetën e tjetrit, atij i cili vjen nga një realitet në një tjetër realitet shpesh si nevojë e rrallë si dëshirë.

“Rikujtim” fotograf: Esad Duraki

Në shpjegimin që vetë artistja i bën këtij instalacioni ajo paraqet  në mënyrë reflektive, pritjen e gjatë të njeriut të mbyllyur brënda një kafazi, në rrugën e panjohur drejt shpresës por dhe kufinjtë e panjohur të kësaj lëvizjeje të detyruar.

“Ky kontenier ndodhet gabimisht këtu. Vorbulla ajri sillen brenda tij, tingëllojnë si frymë, si kallamishte në erë, një trup mërgimtarësh që endet në shkretëtirë. Në ujrat e Mesdheut, a nuk e duruan këtu pritjen e gjatë ata që besuan? Ata ende presin.

Vonesa, vonesa. Vonesa historike.

Trupa nën vëzhgim, nën urdhëra mbrojtje, një distancë prej njëqind kilometër kolonash betoni. Ata s’do të qëndrojnë sepse nuk është kjo toka e premtuar. Është e jona dhe pse thuajse nuk ishte,  një hekurudhë përgjatë portit, një rrugë e dyshimtë tregtare, një zonë e ndërmjetme, një hotel në tokën e tjetrit, një rajon i tëri i braktisur, një rishikim i kufirit detar, një ishull për qetësinë e mendjes, një fshat me kontenierë në bregun verior. Çfarë e bën të brishtë një vend?” shkruhet në shpjegimin e punës krijuese.

Bora Baboçi

Bora Baboçi është një artiste shqiptare e lindur në Tiranë  ku dhe jeton aktualisht.  Ajo ka studiuar dizajn dhe teori arkitekturore në Universitetin e Torontos dhe Universidad Torcuato Di Tella në Buenos Aires dhe ka një diplomë master nga Universitat Politècnica de Catalunya. Pas disa viteve përvojë pune në fushën e arkitekturës, që nga viti 2015 ajo është kërkuese dhe asistente akademike në Universitetin Teknik të Berlinit (Technischen Universität). Që nga viti 2017, ajo ka zhvilluar një praktikë të pavarur duke ndërthurur kërkimin e saj hapësinor me artet pamore dhe performative. Praktika e saj përfshin vizatimin, skulpturën, performancën dhe fotografinë, dhe kërkimi i saj fokusohet në lidhjen mes peizazhit dhe elementëve ndërtues, takimeve hapësinore dhe ndijore, si dhe kujtesës së mishëruar përmes kohës dhe hapësirës.

“Rikujtim” është një instalacion i krijuar rishtazi që reflekton mbi hapësirat pranë porteve e rrugëve tregtare, ku negociata e shkëmbime luhasin kufinjtë e brishtë rreth e përqark brigjeve të mesdheut. 

Qartaz mendja shkon edhe tek zhvillimet e fundit dhe çeshtjen e pritjes së emigrantëve në kampin e Gjadrit, një çeshtje tashmë që përfshin politikën dhe diskutimet në dy shtete, Itali dhe Shqipëri.

Edhe në këtë çeshtje, “Rikujtim” cek termat e rinj të qendrave të emigrimit duke i lidhur ato me pasojat që lënë tek njeriu emigrant.

“Sot me një tjetër fjalor, qëndra migracioni extra-territoriale, shërbime të lira në territore të huaja, paqartësi në statuse pronësish dhe ligjesh – rrallë kanë parë këto zona më shumë se humbjen e integritetit të vendeve ku ndodhen si dhe të individëve që zhvendosen mes tyre, duke lënë pas gjëndje zbrazëtie dhe ç’rrënjosjeje.

“Rikujtim” fotograf: Esad Duraki

Njerëzit,  si individë ashtu edhe si përçues të rrethanave që përfaqesojnë ,  mbesin në cikle të vazhdueshme zhvendosjeje dhe pritjeje. Të lënë pezull, të ç’orientuar dhe të detyruar të qarkullojnë nëpër këto zona të pasigurta,  të cilat gjithmonë e më shumë janë përqëndruar në brigjet më të varfra të mesdheut , ata nuk mbërrijnë kurrë në destinacionet e tyre.

“Rikujtim” sygjeron përvojën mes mërgimit, sfilitjes dhe përsëritjes në një gjendje pothuajse të ritualizuar, duke kujtuar një udhëtim mes tokave të shkreta ose një thirrje, vajtim apo lutje që mbetet pa përgjigje” përfundon dhe shpjegimi i artistes Bora Baboçi.

Festivali “Art Explora” Durrës është i hapur për publikun nga data 11 deri në datën 21 Prill.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë