Politike

Rikthimi në detyrë i Ballukut, Rama: U eliminua një precedent unik në botë

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka komentuar në podkastin “Flasim” vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të kaluar për gjykim në themel çështjen e zëvendës kryeministres Belinda Balluku, duke pezulluar njëkohësisht vendimin e GJKKO-së dhe duke e rikthyer atë në detyrë.

Sipas Ramës, vendimi ka rëndësi të veçantë në aspektin ligjor dhe institucional.

“Gjykata Kushtetuese hoqi pezullimin e zëvendës kryeministres dhe eliminoi një precedent unik në botë, duke u zmbrapsur nga një brutalitet alla shqiptarçe në interpretimin e ligjit”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se rasti ngre shqetësime për raportet mes institucioneve dhe ushtrimin e pavarësisë së drejtësisë.

“Një prokuror dhe një gjykatës morën kompetencat e Kryeministrit, Presidentit dhe Parlamentit, duke e kthyer një proces ligjor në një gjyq partizan jashtë kornizës së ligjit”, deklaroi Rama.

Në vijim, ai ndaloi edhe te kërkesat e shoqatave të gjyqtarëve për rritje pagash, duke i cilësuar si problematike.

“Po, po e dëgjuat mirë, gjykatësit duan të rrisin vetë pagat e tyre, duke marrë kompetencat e qeverisë dhe të parlamentit.

Një shprehje e urtë italiane thotë “due indizzi non fanno una prova”, dy indicie nuk përbejnë një provë – çka sot ne fakt po të shohësh se si fajësohet njeriu në mexhelisin tonë politik e mediatik, përbejnë, jo një provë, po dy dënime.

Por unë, nuk do ta ndjek kurresesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës”, tha ai.

Sipas tij, këto zhvillime kërkojnë reflektim serioz për të mos cenuar balancën e pushteteve.

“Duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi dhe pavarësinë e gjyqësorit, por nuk mund të lejojmë që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja”, përfundoi Kryeministri.

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur më parë vendimin e rikthimit në detyrë të zëvendës kryeministres Belinda Balluku.

Me 5 vota pro dhe 3 kundër, Kushtetuesja vendosi të pezullojë zbatimin e vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posaçme GJKKO, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj Ballukut.

Mësohet se në mbledhjen e gjyqtarëve votuan pro vendimit të GJKKO-së gjyqtarët Sonila Bejtja, Gent Ibrahimi Sandër Beci, Marjana Selimi dhe Fiona Papajorgji.

Kurse kundër, votuan Ilir Toska, Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë