U bë një kohë e gjatë që stadiumet janë të boshatisur dhe mungesa e tifozëve i ka zbehur disi emocionet e ndeshjeve. Por edhe pse ky ‘makth’ do dojë kohë të përfundojë, mesa duket ka dritë në fund të tunelit. Edhe pse situata me shifrat nuk duket e mirë, mediat angleze raportojnë se në dhjetor tifozët mund të rikthehen në shkallët e stadiumit.

Bëhet fjalë për një propozim që Departamenti për Sektorin Digjital, Kulturën, Median dhe Sportin i ka bërë qeverisë, që duke nisur nga data 2 dhjetor, të ketë një hapje të pjesshme dhe të reduktuar edhe për stadiumet. Diçka e tillë është aplikuar në shfaqjet artistike apo dhe kulturore, ndaj kërkohet i njëjti standard edhe për zhvillimet sportive. Nëse gjithçka shkon mirë në luhatjen e rasteve të reja me COVID atëherë edhe stadiumet mund të hapen pas një kohe të gjatë.
Sipas propozimit të bërë, kërkohet që stadiumet të hapen vetëm në zonat ku konsiderohen me rrezikshmëri më të vogël, si dhe me një numër të kufizuar. Duke folur për Sky Sports javën e kaluar, shefi ekzekutiv i Premier League, Richard Masters, foli për rikthimin e tifozëve. “Askush nuk e di se kur ndeshjet do të largohen nga modeli i dyerve të mbyllura. Natyrisht, duhet të kemi plane emergjente, por ka optimizëm që ne do të fillojmë t’i shohim tifozët përsëri në stadiume, dhe kjo mund të ndodhë në disa faza”, ka thënë Masters
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




