Sociale

Rikthimi i tërmeteve, Bozo: Janë lëkundje pas 26 nëntorit. S’ka vend për panik

Tirana, Durrësi dhe zonat e tjera ku tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar shkaktoi më shumë dëme dhe humbje njerëzore përjetuan sërish mbrëmjen e së hënës tmerrin e lëkundjeve të tokës, që u rikthyen relativisht të forta pas një periudhe qetësie.

Epiqendra e lëkundjeve ishte në zonën mes Fushë-Krujës dhe Shijakut, por ato u ndjenë fort edhe në Tiranë dhe Durrës. Nga paniku pati qytetarë që lanë banesat e tyre në kryeqytet, ndërsa sizmiologët qetësojnë duke deklaruar se bëhet fjalë për paslëkundje normale pasojë e tërmetit të fortë të 26 nëntorit.

Inxhinierja Luljeta Bozo thotë se procesi i rivlerësimit të dëmeve të 26 nëntorit ka përfunduar dhe e vetmja kategori që duhet të shqetësohen janë banorët që janë rikthyer në banesa pa u riparuar ende.

“Është një pasgoditje normale dhe njerëzit nuk kanë pse të shqetësohen nëse janë në shtëpi të rregullta. Po ata që kanë pasur probleme nga tërmeti i 26 nëntorit varet nga dëmet. Ka mbaruar tashmë vlerësimi i dëmeve, nëse dëmet janë serioze dhe janë futur brenda pa u riparuar, nuk e di se si… sepse pasgoditjet e agravojnë gjendjen”, deklaroi ajo në një intervistë për Neës24.

Bozo këshillon qytetarët që në raste tërmeti të ruajnë qetësinë dhe të mos lëvizin gjatë kohës së lëkundjeve.

“Në momentin që mbaron dil përjashta, por në momentin që bie, s’ke kohë të lëvizësh, aq më tepër të futesh nëpër ashensorë. Me këtë intensitet nuk ka rrezik. Edhe 4 Rihter nuk u bën gjë strukturave të sigurta”, tha Bozo.

Ajo bën edhe një parashikim se sa mund të zgjasin lëkundjet që konsiderohen pasgoditje të tërmetit të 26 nëntorit.

“Nga përvoja ime, tërmeti i 79-ës ka zgjatur 6 muaj, ishte më i fortë dhe më i thellë. Do njëfarë kohe, 7-8 muaj, nga eksperienca e them se asnjëherë nuk i dihet”, u shpreh ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë