Nisjes së seancës së kësaj të enjte në Parlament i parapriu një ceremoni e vendosjes së bustit të Pjetër Arbnorit në oborrin e Kuvendit. Ceremonia ishte konceptuar e shkurtër dhe e thjeshtë, ashtu siç ishte edhe vetë kryetari i parë i parlamentit, pasi Partia Demokratike fitoi zgjedhjet e 22 marsit 1992.
Aty u bënë bashkë “kundërshtarë” të përbetuar politikë në sallën e seancave, që nga Sali Berisha e deri tek, Lulzim Basha e Jozefina Topalli, Gramoz Ruçi dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. I pranishëm ishte gjithashtu edhe Presidenti i vendit, Ilir Meta.
Busti u zbulua nga ish-Kryeministri Sali Berisha, ndërsa nga një fjalim të shkurtër mbajtën kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe Besnik Mustafaj, si një prej miqëve më të ngushtë të Pjetër Arbnorit.
“Pjetër Arbnori ishte një personalitet politik i vendosur dhe i respektuar. Jeta vuajtjen ia derdhi lumë, kurse lumturinë ia dha me vonesë dhe ia mori shpejtë”, tha ndër të tjera Ruçi.
Besnik Mustafaj riktheu në kujtesë kulturën politike të pashembullt të Pjetër Arbnorit, edhe pse ishin vite të vështira.
“Ai ishte një burrë i pjekur dhe i ditur, i aftë ta zgjedhë fjalën e duhur. Ishte pajtues, por jo në dëm të së vërtetës. Nëse do ulej në këtë sallë sot, do të ishte kundërshtar politik i Gramoz Ruçit. Por ai prapë për këtë bust do ta falënderonte atë”, u shpreh Mustafaj.
Pjetër Arbnori lindi në Durrës në vitin 1935. Babai i tij refuzoi komunizmin dhe mbeti i vrarë gjatë përplasjeve me partizanët. Ai përfundoi gjimnazin me rezultate të shkëlqyera, por biografia “me njollë” e penalizoi. Arriti që të përfundojë disa kurse në filozodi nën një identitet të rremë dhe më pas nisi punën si mësues në Kavajë.
Këtu nisi organizimin e një lëvizjeje kundër regjimit komunist. U zbulua nga “Sigurimi” dhe u arrestua së bashku me gjashtë persona të tjerë. Në procesin gjyqësor që zgjati 2 vjet mes torturave të shumta, ai u dënua fillimisht me vdekje, por më pas dënimi u reduktua në 25 vite burg, pasi Sigurimi i asaj kohe shpresonte që Arbnori do t’i drejtonte në arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në lëvizjet kundër regjimit.
Në vitin 1985 i përfundonte dënimi. Gjatë periudhës në qeli kishte shkruar disa novela e romane, mes të cilëve edhe “Shtëpia e lënë përgjysmë”. Pikërisht për këtë vepër atij iu shtuan edhe 10 vite të tjera. U lirua në vitin 1989, kur nisi në të gjithë Lindjen era e ndryshimeve. Pesë muaj pas lirimit ishte pjesëmarrës në protestën antikomuniste në Shkodër dhe rrëzimin e bustit të Stalinit atje.
Me ardhjen e demokracisë u angazhua në politikë me Partinë Demokratike. U zgjodh deputet dhe më pas kryetari i parë i Kuvendit pas ardhjes së kësaj force në pushtet. Pas trazirave të 1997 vijoi të mbetej aktiv në politikë. U vendos në qendër të vëmendjes pas vendimit të mazhorancës socialiste të asaj kohe të udhëhequr nga Fatos Nano për ligjin e RTSH. Arbnori dhe opozita kundërshtonin ligjin duke deklaruar se ai censuronte aktivitetet dhe fjalën e saj.
Pjetër Arbnori u fut në një grevë urie, që zgjati disa ditë. Në fund, PS u tërhoq dhe pranoi një amendim të ligjit, që u njoh më vonë si “Amendamenti Arbnori”.
Pjetër Arbnori u nda nga jeta më 8 korrik të vitit 2006, një vit pasi PD ishte rikthyer sërish në pushtet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.