Nga Gazeta “Si” – Në një kthim mbresëlënës drejt fillimeve të një epoke që do të ndryshonte rrjedhën e muzikës dhe kulturës botërore, Sir Paul McCartney rikthehet jo si muzikant, por si fotograf. Ekspozita e tij e re, “Rearview Mirror”, e hapur në galerinë “Gagosian” në Beverly Hills, ofron një këndvështrim të rrallë e intim mbi shpërthimin e Beatlemania-s, përmes syrit të njërit prej vetë “Katër të mrekullueshmëve”.
Ekspozita, e kuruar nga Joshua Chuang, prezanton 36 punime , disa prej tyre të panjohura më parë.
Me fokus te cilësia estetike dhe materiali fotografik si objekt arti, “Rearview Mirror” është një rikthim simbolik dhe emocional pas në kohë, duke sjellë jo vetëm The Beatles, por edhe vetë Paul si artist vizual.

Fotografitë janë zbuluar gjatë pandemisë nga arkivisti i McCartney-t dhe përfshijnë momente spontane nga Londra, Parisi, e deri në Amerikën e viteve 1963–64. Në një prej tyre, John Lennon shihet duke notuar në plazhin e Miamit, i buzëqeshur dhe i çliruar , një çast që flet më shumë se një mijë fjalë për njeriun pas ikonës. “Është si të shohësh një John ndryshe, të lumtur dhe të papërmbajtur,” thotë Chuang.
Fotot fiskojnë jo vetëm anët e ndritshme të famës së sapofituar, por edhe prapaskenat e saj, dhomat e hoteleve, pasqyrat e makinave, fytyrat në aeroplanë. Një autoportret në shtëpinë e Jane Asher, të dashurës së McCartney-t në atë kohë, ka një rëndësi të veçantë: ishte aty ku ai u zgjua me një melodi në kokë, një ide që më vonë do të shndërrohej në këngën “Yesterday”.

McCartney përdorte një aparat 35mm SLR Pentax dhe kishte një sy të mprehtë për kompozimin, të zhvilluar ndër vite mes fotografëve profesionistë që e ndiqnin gjatë suksesit të paprecedentë të Beatles-ve. Përmes fotos së tij, ai jo vetëm që ndërton kujtime, por edhe krijon një gjuhë të heshtur dialogu me objektivin që përndryshe do ta kishte ndjekur në heshtje.
Duke e vizituar këtë ekspozitë, vizitorët nuk do të shohin vetëm një retrospektivë nostalgjike, por një rrëfim vizual të një epoke, të treguar nga brenda. McCartney nuk është thjesht protagonist; ai është edhe dëshmitari, edhe kronisti, edhe artisti që kthen kokën pas , përmes pasqyrës së pasme, për të parë përjetësinë në lëvizje.

Ekspozita “Rearview Mirror” do të jetë e hapur në Gagosian, Beverly Hills, me një përzgjedhje imazhesh të firmosura nga autori. Një pjesë e të ardhurave do të shkojë për organizata ndihmëse kundër zjarreve në Kaliforni.
Burimi: The Guardian
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.