Nga Gazeta “SI”– Në një kohë kur bota e filmit është më e aksesueshme se kurrë me platforma streaming që ofrojnë mijëra tituj duket se një pjesë e madhe e Hollywood-it është kthyer pas në kohë për të rikthyer lavdinë e dikurshme.
Shumica e filmave që dominojnë sallat e kinemasë sot nuk janë histori të reja, por riprodhime të filmave të vjetër, ribërje të animacioneve klasike apo rishpikje të superheronjve që kemi parë dhjetëra herë. Kjo e çon në mënyrë të pashmangshme pyetjen: A i ka shteruar fantazia Hollywood-it?
Riprodhimet nuk janë ndonjë fenomen i ri, por ajo që ndodh sot është një inflacion i qëllimshëm nostalgjie. Studio të mëdha si Disney, Warner Bros dhe Universal janë kthyer në laboratorë rikthimesh.

“The Lion King” i vitit 2019 qe ringjall edhe një herë personazhet e dashur në të gjithë botën, “Beauty and the Beast” e vitit 2017 me Emma Watson, bazuar në animacionin e 1991-shit, “Aladdin” i vitit 2019 ku Will Smith mori rolin e Xhindit të dikurshëm të Robin Williams-it, “Borëbardha” një riprodhim i vitit 2025 me protagonistë Rachel Zegler dhe me një histori të përpunuar për një publik bashkëkohor me theks feminist dhe multikulturor apo dhe rasti i Superman-it i vitit 2025 si një hero që rilind pafund janë vetëm disa nga filmat të cilët e rikthejnë industrinë e kinematografisë amerikane pas në kohë për të gjetur motive të vjetra.

Asnjë figurë nuk e ilustron më mirë logjikën e riprodhimit se Superman-i. Që nga ekranizimi i tij i parë me Christopher Reeve në vitet ’70, ky personazh është rilindur disa herë.
Hollywood-i e ka kuptuar këtë dhe e shfrytëzon në mënyrë të sofistikuar. Këto ribërje nuk janë më thjesht kopje, ato janë produkte emocionale, të dizajnuara për të evokuar kujtime, për të bashkuar breza dhe për të ringjallur ikona të pop-kulturës .
Përtej financave deri diku të siguruara , këto rikthime luajnë me një ndjenjë të thellë njerëzore: nostalgjinë. Në një botë gjithnjë me shije mbase të orientuara keq apo dhe të pasigurta, audiencat kërkojnë t’i kthehen diçkaje të njohur. Hollywood-i duke e ditur mirë këtë , shfrytëzon riprodhimet të cilët nuk janë vetëm filma, por produkte dizajnuara për të krijuar ndjesinë e një imazhi të njohur dhe të afërt.

Riprodhimet nuk janë problem në vetvete, ndonjëherë ato sjellin përmirësime, përfaqësim më të drejtë apo teknologji më të avancuar. Por kur ato zënë pjesën më të madhe të hapësirës kulturore, lind pyetja:
A do të kemi ndonjëherë një epokë të re ikonash, apo do të jetojmë gjithmonë nën hijen e të kaluarës?
Nëse industria do guxojë të rrezikojë, fantazia mund të rikkthehet. Por për momentin, e kaluara është më e sigurt për t’u shitur se sa e ardhmja për t’u shpikur. Kjo mund të na bëjë të mendojmë se në Holliwud, mbase fantazia është shteruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



