Analize

Rikthimi i fashizmit, “Paralajmërimi” i Madeleine Albright

Madeleine Albright ka jetuar dhe prodhuar shumë histori dhe kur flet për rilindje të fashizmit e bën atë si dikush që ka lindur dhe jetuar vitet e para të jetës nën sundimin e diktatorëve. Ishte mjaft e vogël kur familja e saj u detyrua të largohej nga Çekosllovakia e asaj kohe pasi nazistët morën nën kontroll të plotë vendin. Ishte viti 1939.

Pas 10 ditësh të fshehur në Pragë, familja e saj arriti që të arratiset drejt Britanisë së Madhe. Kujtimet e para nga Londra i ka të turbullta.

“Nuk po e merrja vesh se çfarë po ndodhte. Familja ime ishin europianë kontinentalë dhe nuk kishim asnjë të afërt në Londër. Ndjehesha e izoluar dhe kur Hitleri nisi sulmet, zbrisnim në bodrum për të gjetur strehë, si të gjithë të tjerët”, tregon ajo.

Disa vite më vonë, kur lufta kishte përfunduar dhe bota ishte në paqe, por e ndarë në dy kampe të mëdha, Perëndim-Lindje, u rikthye të vizitojë bodrumin ku strehohej gjatë bombardimeve.

“I rashë ziles dhe e hapi një person. Ishte shumë më i shkurtër nga sa e mbaja mend unë. I bëra një pyetje idiote nëse ekzistonte ende bodrumi apo jo. Më tha, - sigurisht që ekziston. Zbrita poshtë ta shihja. Muret ishin ashtu siç i mbaja mend, jeshile”, kujton Albright.

Në ato vite mëson se pavarësisht se ishte rritur si katolike, familja e saj ishte hebreje dhe shumë pjesëtarë të familjes së saj kishin vdekur gjatë Holokaustit, përfshirë tre gjyshër. Kur u rikthehet bombardimeve falenderon prindërit.

“Në bodrum këndonim dhe dukej shumë më pak dramatike nga sa ishte situata, sepse prindërit e mi kishin një aftësi mahnitëse për ta bërë anormalen të dukej normale”, thotë ish-Sekretarja e Shtetit të SHBA.

Babai i saj, Josef Korbel ishte diplomat karriere dhe pjesë e qeverisë çeke në ekzil. Kujton një episod kur refuzoi që të hynte në bordum gjatë bombardimeve pasi i duhej dritë për të përfunduar një shkrim për BBC.

Madelein Albright me babain, Jozef Korbel, viti 1945

Pas mposhtjes së Hitlerit, Korbel e riktheu familjen në Çeki me bindjen se vendi do të përqafonte demokracinë perëndimore. Por, shpejt vendin e kaploi një tjetër formë e totalitarizmi, komunizmi. Një grusht shteti i mbështetur nga sovjetikët vendosi në Pragë një qeveri kukull dhe regjim satelit të Moskës. Familja e Madelein u largua sërish duke kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Strehën e gjetën në Kolorado.

Në këtë periudhë, Maddy, siç e thërrisnin shokët e shoqet e klasës ishte 11 vjeç. “Njerëzit në Amerikë i mirëprisnin emigrantët në atë kohë. Na shprehnin keqardhjen për atë që ndodhte në vendin tonë dhe premtonin të bënin gjithçka që të merrnin shtetësinë amerikane. Ishte një tjetër Amerikë nga kjo e sotmja”, kujton ish-diplomatja amerikane.

Pasi përfundoi studimet për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare nisi të punojë si gazetare. Në shkrimet e veta interpretonte situatën globale dhe Luftën e Ftohtë që po nxehej gjithnjë e më shumë. Shkrimet dhe analizat e saj e katapultuan në politikë. Në vitin 1978, kur në Shtëpinë e Bardhë ishte Jimmy Carter si President u bë pjesë e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe më vonë ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara. Në vitin 1997, Bill Clinton e emëroi Sekretare të Shtetit, pozicioni më i lartë që mund të mbajë një person që nuk ka lindur në SHBA, duke u bërë edhe e para grua në këtë rol.

Katër vite në krye të Departamentit të Shtetit e panë sërish përballë tiranisë. Përvoja e hidhur e fëmijërisë kishte lënë gjurmë në karakterin e saj dhe Madeleine ishte e vendosur përballë regjimeve totalitare. U përball me Kim Jong-il në vitin 2000, babain diktator të diktatorit aktual të Koresë së Veriut.

“M’u duk shumë i sjellshëm dhe njerëzor për të qenë njeriu që ditëlindjen e të atit e festonte në të gjithë vendin çdo vit si “Dita e Diellit”, kujton ajo në librin e saj.

Mbi të gjitha, ishte fat për shqiptarët që në krye të SHBA ishte një President si Bill Clinton në atë periudhë, por ishte ende më shumë fat që në krye të Departamentit të Shtetit ishte Madelein Albright. Sekretarja e Shtetit u vendos ashpër përballë makinerisë gjakatare të Sllobodan Millosheviç në Kosovë.

Sllobodan Milloshevic dhe Ibrahim Rugova takohen në Beograd në vitin 1998

Përpjekjet e saj për të ndaluar dorën vrastare serbë ndaj popullsisë civile shqiptare nisën që në ditët e para të detyrës si kryediplomate e SHBA, por jo pa gabime. Në vitin 2003, në librin “Madam Secretary: a memoir”, kujton se si kishte nxitur një delegacion të udhëheqësve shqiptarë të Kosovës, kryesuar nga i ndjeri Ibrahim Rugova, që të zhvillonin një takim me Sllobodan Millosheviç në Beograd, në përpjekje për të ulur armët dhe nisur një proces politik.

Koha provoi që kjo lëvizje ishte e gabuar. Mediat serbe shfaqën një foto të Millosheviç dhe Rugovës duke i qeshur njëri-tjetrit, një imazh që në kohën kur policia e ushtria serbe masakronin shqiptarët në Kosovë goditi fort reputacionin e Rugovës, kritikat ndaj të cilit vërshuan edhe nga njerëzit më besnikë të atyre ditëve.

Për të korrigjuar këtë, Albright fton Rugovën në Uashington. Kujton se gjatë bisedimeve ai i kishte kërkuar që si hap i parë NATO të vendoste një zonë ndalim-fluturimi, për të bllokuar avionët dhe helikopterët serbë të bombardonin në Kosovë. Në atë bisedë, Rugova kishte bërë të qartë qëndrimin për pavarësi, por tërhiqej deri tek vendosja e një protektorati ndërkombëtar.

Përshkallëzimi i konfliktit dhe nisja e spastrimit etnik në masë në Kosovë e bindën Albright që Millosheviç nuk ishte aq i pafajshëm sa mundohej të paraqiste veten.

“Nuk ishte diktatori tipik fashisht. I pëlqente të bënte viktimën edhe në kohën kur forcat e tij të sigurisë po zbatonin një plan spastrimi etnik në Kosovë”, kujton Albright.

Vladimir Putin nuk kishte konsoliduar ende pushtetin e tij autokrat në Rusi, por shenjat e para i ka dhënë që në kohën kur Albright ishte kryesekretare e SHBA.

“Dukej shumë i ftohtë. Ishte një natyrë e ftohtë, por është shumë i zgjuar. Në fillim luajti rolin e të dobëtit dhe e bëri mirë këtë. Më pas nisi të shpalosë agjendën e zgjeruar që ka. Synimi kryesor i Putinit është përçarja e aleatëve. E nis duke synuar përçarjen mes Europës Perëndimore dhe asaj Lindore”, kujton ish-Sekretarja e Shtetit.

Për rikthimin e agresivitetit rus në skenën globale fajëson edhe Perëndimin.

“Ne dështuam të kuptojmë që rusët u ndjenë shumë të poshtëruar nga Lufta e Ftohtë dhe ishin gati që të zhyteshin tek një nacionalist, që premtonte rikthimin e madhështisë. Një rus m’u ankua dikur: Ishim një superfuqi, tani jemi thjesht Bangladesh me raketa”, mendon Albright.

Duke iu rikthyer fashizmit citon Primo Levin. “Çdo kohë ka formën e vet të fashizmit”, thotë Albright. Bën kujdes që të mos e përdorë këtë fjalë për Donald Trump.

“Nuk e quaj fashist, por shenjat dhe vendimet e tij të deritanishme janë sinjale alarmi që ai mund të shndërrohet në një i tillë. Të përshkruash fashizmin sot është e vështirë. Së pari, nuk mendoj se fashizmi është një ideologji. Unë mendoj që është një metodë, një sistem”, mendon ajo.

Thotë se Donald Trump ka dështuar të kuptojë se NATO dhe e gjithë aleanca perëndimore është një sistem, pa të cilin bota zhytet në anarki. “Nuk e kuptoj se çfarë përfiton duke e shkatërruar këtë sistem?! Ka të drejtë kur thotë që SHBA paguan më shumë nga të gjithë në NATO, por mënyra sesi e sheh ai këtë aleancë nuk është e duhura dhe nuk i shërben asnjërës palë”, vijon Albright.

Në fund, e pyetur për të përshkruar më shkurtimisht situatën në të cilën gjendet bota sot, flet si diplomate.

“Jam optimiste, por optimiste e llojit që shqetësohem shumë”, deklaron Madelein Albright.

Burimi: The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë