Mjedis

Rikthimi i El Nino-s mund ta bëjë botën edhe më të nxehtë

Parashikimet tregojnë se fenomeni El Nino mund të rikthehet më vonë këtë vit, duke hapur potencialisht rrugën që temperaturat globale të tejkalojnë pragun kritik prej 1.5 gradë Celsius për herë të parë.

Sistemi i El Nino-s përbëhet nga El Nino dhe La Nina, dy gjendje të kundërta të luhatjeve në sistemin klimatik të Tokës, të cilat mund të kenë pasoja të rëndësishme në mot, zjarre, ekosisteme dhe ekonomi në mbarë botën.

Profesor Adam Scaife, kreu i parashikimeve në Mbretërinë e Bashkuar, e përshkroi El Nino si “ndryshimi më i madh natyror në klimë që ne dimë në shkallën kohore të disa viteve”.

El Nino, ose “djali i vogël” në spanjisht njihet gjerësisht si ngrohja e temperaturës së sipërfaqes së detit, e cila ndodh çdo disa vjet. Një ngjarje El Nino shpallet kur temperaturat e detit në Paqësorin tropikal lindor rriten 0,5 gradë Celsius mbi mesataren afatgjatë.

Pritjet për kthimin e El Nino-s pasojnë një periudhë të qëndrueshme të La Nina, e cila përgjithësisht ka efektin e uljes së temperaturave globale në krahasim me vitet normale.

Tetë vitet e fundit janë regjistruar si tetë vitet më të ngrohta të regjistruara, pavarësisht se kushtet e La Nina vazhdojnë për të tretin vit radhazi në 2022.

Viti më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, 2016, filloi me një El Nino të fuqishëm që ndihmoi në rritjen e temperaturave globale.

Efektet e El Nino priren të arrijnë kulmin gjatë dhjetorit, por ndikimi zakonisht kërkon kohë për t’u përhapur në të gjithë globin. Ky efekt i vonuar është arsyeja pse parashikuesit besojnë se viti 2024 mund të jetë viti i parë që njerëzimi kalon 1.5 gradë Celsius.

“Pyetja e madhe është se çfarë do të ndodhë në fund të vitit?”, thotë Scaife.

“Nuk e dimë ende përgjigjen për këtë pyetje. Është pak herët për të thënë por shanset aktuale janë midis 60% dhe 70% për një ngjarje El Nino në vitin e ardhshëm”.

Ai thotë se nëse rikthehet El Nino, do të jetë viti i parë që tejkalon limitin 1.5 gradë.

Shkencëtarët kryesorë të klimës në botë paralajmëruan vitin e kaluar se lufta për të mbajtur ngrohjen globale nën 1.5 gradë Celsius kishte arritur në “tani ose kurrë”. Që atëherë, qendrat e parashikimit të klimës kanë thënë se ka një shans 50-50 për të kapërcyer 1.5 gradë Celsius në vitet e ardhshme.

Pragu 1.5 gradë Celsius është kufiri i temperaturës globale i vendosur në Marrëveshjen historike të Parisit të vitit 2015. Rëndësia e tij njihet gjerësisht sepse të ashtuquajturat pika kthese bëhen më të mundshme përtej këtij niveli. Pikat e kthesës janë pragjet në të cilat ndryshimet e vogla mund të çojnë në ndryshime dramatike në të gjithë sistemin e mbështetjes së jetës së Tokës.

Scaife tha se parashikimet tregojnë se Paqësori aktualisht po përjeton temperatura rreth -0.5 gradë Celsius nën nivelet normale. Një episod neutral më pas mund t’i hapë vendin kushteve të El Nino-s prej 0.5 gradë Celsius mbi bazën normale deri në qershor ose korrik.

“Ne ende nuk mund të themi se sa i ngrohtë do të jetë ky El Nino, dhe kjo në fakt do të përcaktojë shumë nëse ka të ngjarë të mposhtim rekordin dhe kufirin e temperaturës 1.5 gradë”.

Episodet e El Nino mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në kushtet e motit në mbarë botën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë