Gazeta Si – Më në fund, Armando Broja i është kthyer fushës së blertë. Pas atij dëmtimi në gju të pësuar dhjetorin e vitit të kaluar, sulmuesi i Çelsit luajti sot disa minuta në fundin e ndeshjes me Aston Vilën, ku londinezët humbën 1-0.
Rikthimi i Brojës është një lajm shumë i mirë për trajnerin Silvinjo, i cili ishte në Londër për të folur me sulmuesin kuqezi dhe klubin e tij. Lojtari pritet të jetë në listën e trajnerit brazilian për sfidën me Çekinë më 12 tetor, në stadiumin ‘Air Albania’.

Por Silvinjo ka marrë ndërkohë lajme shqetësuese për gjendjen e dy futbollistëve të formacionit të Kombëtares. Ardian Ismajli dhe Sokol Cikalleshi kanë pësuar dëmtime, që mund të vënë në diskutim praninë e tyre ndaj Çekisë, sidomos sulmuesi.
Cikalleshi mungoi në ndeshjen e radhës në kampionat për shkak të një dëmtimi të pësuar ditë më parë. Dhe sipas klubit të tij duhen 2-3 javë kohë që sulmuesi veteran të rikuperohet. Kavajasi duket se do të jetë në luftë me kohën për të qenë në fushë në atë ndeshje shumë të rëndësishme. Edhe pse nuk ka shënuar në këto eliminatore, Cikalleshi e ndihmon shumë skuadrën me punën që bën.
Ismajli pësoi një dëmtim në ndeshjen e sotme ndaj Interit. Mbrojtësi qëndroi 50 minuta në fushë dhe pastaj u detyrua të largohej, menjëherë më pas Empoli pësoi gol. Mbetet të shihet tani sa kohë i duhet Ismajlit për të qenë gati. Edhe ai është një titullar kyç në formacionin e Silvinjos dhe nëse do të mungonte, do të ishte një humbje e madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




