Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja, ka shpallur listën me 28 lojtarë që janë ftuar për tre ndeshjet e vlefshme për eliminatoret e Botërorit Katar “2022”. Kuqezinjtë do të luajnë në transfertë ndaj Andorrës më 25 mars, ndërsa më 28 mars përfaqësuesja kuqezi do të presë Anglinë në Tiranë. Takimi i tretë do të luhet më 31 mars ndaj San Marinos sërish në transfertë.

Reja rikthen në Kombëtare, mbrojtësin Arlind Ajeti, pas një mungese të gjatë. Gjithashtu nuk mungojnë as risitë, ku për herë të parë grumbullohen, Nedim Bajrami dhe Mario Mitaj. Për ndeshjet e këtij muaji është grumbulluar edhe Florian Kamberi, i cili ende nuk ka bërë debutimin me Shqipërinë. Ndërkohë mungojnë Armando Sadiku, Bekim Balaj dhe Armir Abrashi.
Nuk mungojnë as afrimet nga Superiorja, teksa është lënë jashtë portieri i Partizanit, Alban Hoxha, teksa është afruar mbrojtësi i Tiranës, Erjon Hoxhallari.
Tekniku italian shpreson që lojtarët të vijnë në gjendje optimale në këto sfida. Gjithashtu, Reja kërkon përqendrim maksimal nga kombëtarja para Andorrës, që ai e cilëson si duelin më të rëndësishëm dhe kërkon nga skuadra që të japë maksimumin.
Po ashtu, trajneri i Shqipërisë u shpreh që në këto sfida do të mund të tregojmë se sa jemi rritur dhe se tani përgjegjësia është më e madhe, pasi jemi ngjitur një kategori më lart në Ligën e Kombeve dhe pritshmëritë janë më të mëdha.
Në fund, Reja bëri edhe një thirrje për qeverinë që të pranojë kërkesën e FSHF për lejimin e 30% të tifozëve në stadium ndaj Anglisë, pasi distanca fizike mund të ruhet shumë lehtë dhe risqet për përhapjen e virusit korona janë inekzistente.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




