Në muajin mars, shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë serbe sfidoi institucionet e Prishtinës dhe vendimin e tyre për t’i ndaluar hyrjen në territorin kosovar dhe vendosi që të vazhdojë me takimet në Mitrovicën e Veriut.
Pa nisur ende mirë takimet, Gjuriç u befasua nga një operacion i forcave speciale të Policisë së Kosovës, që e arrestuan atë dhe pasi e shoqëruan drejt Prishtinës e përcollën sërish andej nga kishte hyrë.
Ky aksion shkaktoi reagim të fortë nga Serbia dhe vendosi në pikëpyetje vazhdimin e dialogut mes dy vendeve në Bruksel. Situata u qetësua disi në muajin qershor, kur Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç u takuan me ndërmjetësimin e shefes për Politikës të Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini.
“Të dy Presidentët ranë dakort që të përshkallëzojnë përpjekjet për një marrëveshje në javët në vijim”, deklaronte në fund të takimit zyra e Mogherinit.
Nga ana e tij, Presidenti i Kosovës paralajmëronte për një ngërç dhe bisedime të vështira.
“Kam frikë që nëse nuk arrijmë një marrëveshje përfundimtare të dyja vendet do të humbasin shumë. BE nuk do të pranojë as Kosovën dhe as Serbinë përsa kohë ne kemi probleme të hapura mes nesh”, deklaronte Hashim Thaçi.
Takimi i radhës ishte këtë të mërkurë. Ai ishte më i shkurtëri i zhvilluar ndonjëherë në gjashtë vitet e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, por jo më i lehti.
“Mund të them që ka qenë një nga takimet më të vështira që kemi zhvilluar në këto gjashtë vitet e fundit. Serbia jeton ende me mentalitetin e së kaluaarës dhe mendon se Kosova është ende pjesë e saj. Presidenti Vuçiç dhe qytetarët serbë mashtrohen, gabohen rëndë. Serbia duhet të kuptojë që Kosova është vend sovran”, deklaroi Presidenti i Kosovës.
Thaçi nuk dha më shumë detaje se çfarë ka ndodhur mes tij e Vuçiçit, por deklaratat mund të interpretohen si rikthim në pikën zero të dialogut dhe rivendosje në pikëpyetje të marrëveshjeve të arritura deri më tani në aksin Prishtinë-Beograd.
Pavarësisht kësaj, Hashim Thaçi mbetet optimist.
“Përkushtimi ynë për të ardhmen është serioz dhe i përgjegjshëm ndaj do të punojmë maksimalisht që të arrijmë marrëveshjen përfundimtare. Unë ende shoh dritë në fund të tunelit, megjithëse do të jetë shumë vështirë, por ne duhet të arrijmë në një marrëveshje përfundimtare që do të jetë në dobi të të dyja vendeve”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.