Ekonomi

Rikthim në 1930-n/ A mund të shkaktojnë tarifat e Trump një tjetër Depresion të Madh?

Tarifat e vendosura nga presidenti Trump mbi Kanadanë, Meksikën dhe Kinën kanë tronditur tregjet botërore, investitorët dhe prodhuesit.

Ekspertët janë të shqetësuar se tarifat do të “djegin” konsumatorët duke rritur çmimet e të mirave të përditshme. Një shqetësim tjetër është një recesion ekonomik i ngjashëm me atë të 1930-s që u quajt “Depresioni i Madh”.

Çfarë e shkaktoi Depresionin?

Depresioni i Madh ishte një kthesë katastrofike e ekonomisë globale, që nisi tetorin e 1929-s dhe zgjati gati një dekadë. Konsiderohet një nga periudhat më të këqija të ekonomisë në histori me rreth 12 milionë njerëz të papunë.

Gjermania dhe Britani u dëmtuan nga kjo krizë gjithashtu.

A e shkaktuan tarifat Depresionin e Madh? “Sigurisht që jo,” thotë Gary Richardson, profesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë, dhe ish historian i Sistemit të Rezervës Federale.

“Depresioni filloi kur tarifat ishin të ulëta. Kështu që tarifat apo mendimi për të pasur tarifa nuk ishin shkaku i Depresionit të Madh,” tha Richardson.

Në fillim të viteve 1900, qeveria e SHBA kaloi drejt një sistemi të tregtisë së lirë dhe miratoi taksat federale të të ardhurave në 1913, të cilat ndihmuan në uljen e varësisë së qeverisë nga tarifat.

Një sërë faktorësh ndikuan në krijimin e Depresionit.

Gjatë 1920-s, ekonomia po rritej dhe tregu i aksioneve po lulëzonte. Por, Rezerva Federale rriti normën e interesit për bankat që huazonin para. Sipas Marcus Wwitcher, profesor në universitetin e Virxhinias, oferta e parasë u tkurr, pra në qarkullim kishte më pak para, duke e bërë të vështirë për amerikanët që të kursenin apo të përdornin për blerje e investime. Kjo shkaktoi një rënie ekonomike që goditi tregun e aksioneve në 1929-n dhe falimentoi më shumë se 9 mijë banka, brenda 4 vitesh.

Presidenti i atëhershëm, Herbert Hoover nënshkroi aktin e “Smoot-Hawley”, që synonte rritjen e tarifave, edhe pse ekonomistët e kundërshtuan një nismë të tillë në ato momente delikate. Ai miratoi dhe disa ndryshime në Aktin për të Ardhurat që rriti taksat për të ardhurat nga 25 në 63%.

“Hoover rriti taksat sepse mendonte se ishte e rëndësishme të balancohej buxheti dhe e pa rritjen e taksave si të vetmen mënyrë për ta arritur këtë. Si rezultat, ai nuk e balancoi buxhetin dhe e dekurajoi më tej aktivitetin ekonomik,” thotë Witcher.

Një kombinim i këtyre faktorëve rezultoi në një “stuhi të përsosur ekonomike” që çoi në një efekt domino që përkeqësoi krizën ekonomike, thotë Christopher Clarke, një profesor i ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Uashingtonit. Tarifat e zbatuara sipas Aktit të Tarifave Smoot-Hawley e përkeqësuan Depresionin e Madh, thonë Richardson, Clarke dhe Witcher. Këto tarifa gjithashtu tensionuan marrëdhëniet me vendet e tjera përtej sferës së tregtisë.

“Më pak tregti çon në më pak bashkëpunim dhe më pak besim, gjë që do të çojë në më shumë dhunë,” thotë Clarke, duke shtuar se marrëdhëniet e tensionuara ndërkombëtare ishin faktorë kontribues në Luftën e Dytë Botërore.

A ka mundësi një luftë e re tregtare të shkaktojë një tjetër Depresion të Madh?

Ndikimi i tarifave mbetet e pasigurt. Gjithsesi, ekonomistët thonë se momentalisht ekonomia është në një pozicion më të mirë se c’ishte atëherë. Nuk ka gjasa që tarifat e reja të shkaktojnë një depresion ekonomik, por një stanjacion po. Clarke thotë se tarifat do të rrisin çmimet për konsumatorët. Witcher thotë se do të ndikojë në vendet e punës.

“Depresioni i Madh ishte një ngjarje pashoq në histori dhe nuk mendoj se tarifat 25% të Trump do ta dëmtojnë ekonominë në atë shkallë. Por patjetër që do të na bëjë ne më të varfër dhe do humbasim vendet e punës”, shpjegon Witcher.

Gjatë një njoftimi të fundit, Trump tha se më shumë tarifa do të miratohen më 2 prill.

“Çfarëdo që ata të na tarifojnë neve, ne do t’i tarifojmë ata,” tha ai. “Çfarëdo që të na taksojnë, ne do t’i taksojmë. Nëse ata bëjnë tarifa jo monetare për të na mbajtur jashtë tregut të tyre, atëherë ne do të bëjmë barriera jo monetare për t’i mbajtur ata jashtë tregut tonë.”

Tarifat që po zbatohen nga Trump janë historikisht të larta, të ngjashme me tarifat e vendosura gjatë Depresionit të Madh dhe mund të rriten, thotë Richardson. Por rrethanat ndryshojnë dukshëm, veçanërisht në lidhje me atë se kush i imponon ato.

“Tarifat e viteve 1930 u vendosën nga Kongresi i SHBA,” thotë Richardson. “Kjo është lëvizja e nënshkrimit të Trump dhe ai personalisht do të mbajë pothuajse të gjithë fajin nëse gjërat shkojnë keq.”

Ekonomistët nuk dhanë ndonjë rezultat pozitiv në lidhje me tarifat. Siç tha një ekonomist, tarifat janë si një lojë gjelash, ku secila palë pret të shohë se kush do të tërhiqet i pari. Kur një vend vendos tarifa, tjetri hakmerret, duke krijuar një cikël masash përshkallëzuese.

“Njerëzit që vendosën tarifat së pari, që në këtë rast janë SHBA-të, thoshin, “Po. Ne e kuptojmë se kjo mund të shkojë vërtet keq, dhe të gjithë mund të vuajnë. Por ne do të preferonim që të gjithë të vuajnë sesa gjendja aktuale e botës. Pra, nëse nuk doni të vuajnë të gjithë, nëse nuk doni të vuani, duhet të na dorëzoheni” “, thotë Richardson.

Witcher, Richardson dhe Clarke të gjithë pajtohen se tarifat e reja mund të kenë implikime negative për ekonominë.

“Sido që ta shikoni, një tarifë 25% është një politikë e keqe ekonomike,” thotë Witcher. “Ka shumë pak fitues dhe shumë e shumë humbës nga një politikë e tillë. Të kombinuara me faktorë të tjerë, si rënia e besimit të konsumatorit, rritja e normave të interesit, etj., ato mund të kontribuojnë në një recesion.”

Përshtatur nga NPR.org, Radio Publike Amerikane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë