Drejtësia

Riktheu masën ‘detyrim paraqitje’ për Berishën, Apeli i GJKKO sqaron: Jemi para zgjedhjeve, ai është lideri i opozitës

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit ka zbardhur vendimin që e la me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, ku para së gjithash prevalon fakti që vendi është “para fushatës zgjedhore” dhe se ish-kryeministri “është lideri i opozitës”.

Gjykata thotë se janë marrë parasysh disa arsye që arritën në përfundimin se masa e sigurisë “arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme.

“Duke marrë parasysh faktin se kërkuesi kishte një vit me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, faktin se moszbatimi i detyrimeve që lidheshin me masës e sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” bazoheshin mbi një alibi për antikushtetuetshmërinë e kësaj mase, të rrezuar tashme nga Gjykata Kushtetuese, moshën dhe rrethana e tjera që kanë qenë në konsideratë të gjyqtarit të hetimeve paraprake, por të vlerësuara tashmë në raport me këto rrethana të tjera, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që jemi në periudhën para fushatës zgjedhore dhe kërkuesi është konsideruar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese si lideri i opozitës, ose kryetar i partisë kryesore opozitare,  u arrit në përfundimin që masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme”, sqaroi gjykata në sqarimin për mediat..

Gjyqtari, i cili dha vendimin, ka arsyetuar ndër të tjera se me anë të arrestit të shtëpisë, Berisha ka shlyer në një farë mënyre pasojën e dhënë për shkak të moszbatimit të masës së mëparshme, që ishte “detyrim paraqitje”.

Në këtë mënyrë ai i ka dhënë edhe një herë mundësinë Berishës që ta respektojë detyrimin që lidhet me masën e re të detyrimit të paraqitjes.

Nëse kreu i PD nuk zbaton edhe këtë, sipas gjykatës, prokurorisë i lind e drejta të kërkojë sërish zëvendësimin me një masë sigurimi më të rëndë.

“Me anë të kësaj mase (“Arrest në shtëpi”) kërkuesi e ka shlyer në një farë mënyre pasojën e dhënë nga dispozitat ligjore për moszbatimin e masës së mëparshme të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, dhe për rrjedhojë kjo masë sigurimi duhej zëvendësuar, duke i’u dhënë edhe një herë mundësia kërkuesit që të respektojë detyrimet qe lidhet me masën e re të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”. Ne rast se kërkuesi nuk do të zbatojë detyrimet që lidhen me masën e sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, atëherë organi i akuzës do të ketë të drejtën të kërkojë serish zëvendësimin e kësaj mase sigurimi, me një masë sigurimi më të rëndë”, vazhdon gjykata.

Në 3 jnar 2025, gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi masën “detyrim paraqitje” dy herë në muaj për kreun e opozitës. Për këtë arsye, Berisha u paraqit të hënën e 6 janarit në SPAK ku firmosi prezencën e tij.

Çështja në fjalë u ankimua nga Prokuroria e Posaçme, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e liroi Berishën pa i dhënë asnjë masë shtrënguese.

Kryedemokrati Sali Berisha qëndroi i izoluar në banesën e tij për 11 muaj, ndërsa e fitoi lirinë më 27 nëntor 2024. Ai akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë