Ngjarje

Rikthehet sistemi i fiskalizimit dhe faqet e ministrive, Qeveria: Kundërofensiva e AKSHI-t, e suksesshme

Qeveria njofton se po rikthen gradualisht në punë të gjitha sistemet e shërbimeve qeveritare, duke deklaruar se ka izoluar dhe po spraps me sukses sulmin kibernetik që ka nisur të paktën prej të premtes.

“Pas një pune të jashtëzakonshme, prej 96 orësh papushim, nga ekipi i inxhiniereve dhe ekspertëve IT të AKSHI-t, ndihmës së skuadrës së Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerëve të “Jones Group International”, po kthehemi në normalitet”, thuhet në njoftim.

Aktualisht janë kthyer në funksion faqet zyrtare të ministrive dhe sistemi i Fiskalizimit. Ndërkohë, që prej të hënës është kthyer në funksion të plotë:

  • Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor me sistemin e lejeve të drejtimit dhe sistemin e targave;
  • Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
  • Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me sistemin e recetës elektronike;
  • Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore me sistemin e barnave.

Qeveria thotë se po punohet me intensitet për kthimin një e nga një të të gjitha shërbimeve që ofrohen në e-Albania dhe rikthimin në funksionalitet të plotë të sistemeve të tjera.

Sipas njoftimit, ndjekja e protokolleve të reagimit ndaj sulmeve kibernetike, izolimi i menjëhershëm i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare, që në momentet e para, bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura.

“Kjo rezultoi kundërpërgjigjia e duhur ndaj këtij sulmi masiv të pandodhur kurrë më parë ndaj vendit tonë”, thuhet në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë