Para

Rikthehet rënia e euros. Prek nivelin më të ulët që nga gushti

Nga Gazeta ‘SI’ – Bashkë me muajin nëntor është rikthyer edhe zhvlerësimi i euros. Pas një stabilizimi 2-mujor, euro ka prekur sot (2 nëntor) nivelin më të ulët që nga gushti, 105.36 lekë.

Të njëjtën tendencë kanë pasur edhe valutat e tjera, me dollarin që këmbehet me 99.17 lekë dhe paundi britanik me 120.85 lekë.

Pika më e ulët e kursit të këmbimit ishte në mesin e korrikut kur 1 euro këmbehej me 100 lekë. Deri në fund të tetorit, kursi ishte stabilizuar rreth 106 lekëve pa luhatje.

Kjo tregon se qarkullimi i euros në tregun vendas vazhdon të jetë i lartë dhe ndonëse sezoni turistik është pranë fundit. Temperaturat e larta zgjatën sezonin. Forcimi i lekut dhe zhvlerësimi i euros është arsyetuar pikërisht me flukset turistike në vend dhe me rritjen e eksporteve, si nga qeveria ashtu edhe nga Banka e Shqipërisë.

Gjithsesi euro nisi dobësimin që në tremujorin e parë të vitit dhe po vazhdon ende, duke vënë në dyshim arsyetimin e mësipërm. Për ekspertët e pavarur, luhatjet e forta janë burim i parasë informale në vend dhe spekulimit të qëllimshëm.

Për ekspertët e BSH-së, ky është kursi i ri i këmbimit dhe nuk ka gjasa që të rikthehet në nivelet e mëparshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë