Muzike

Rikthehet opera në Shkodër, me Elda Laron dhe sopranon, Ana Naqe

Nga Gazeta “SI”– Shkodra po rikthen traditën e muzikës klasike me Orkestrën Simfonike të qytetit, nën drejtimin e drejtoreshës artistike Elda Laro.

Në koncertin e titulluar “From West to East”, publiku shkodran pati mundësinë të shijojë  një repertor të zgjedhur me vepra nga kompozitorë shqiptarë dhe të huaj, ku protagoniste ishte sopranoja e njohur Ana Naqe.

Me një interpretim emocionues , Ana Naqe falenderoi në fundin e koncertit, publikun shkodran dhe drejtoreshën Laro për këtë mundësi:

“Shkodra është sheqer, dhe për mua është një nder i madh të performoj me Elda Laron, një ndër artistet më të mëdha që njoh.” u shpreh Naqe për mediat.

Për drejtoreshën artistike Elda Laro, ky ishte koncerti i parë në krye të orkestrës simfonike, një fillim i suksesshëm i një rrugëtimi sipas saj ambicioz.

“Zemra më rreh më fort këtu sesa në çdo skenë tjetër në botë,” tha ajo, duke paralajmëruar edhe performanca të ardhshme me artistë të njohur si tenori Sajmir Pirgu dhe pianisti Klevis Gjergjin.

Vizioni i Laros shkon përtej kufijve lokalë. Ajo synon të bëjë Shkodrën një epiqendër të muzikës klasike në Shqipëri, duke sjellë artistë ndërkombëtarë dhe duke e ngritur nivelin artistik të qytetit.

Karriera ndërkombëtare e Elda Laros premton shumë edhe pse mbetet për tu parë mbështetja insitucionale ndaj operas e cila u rithemelua vetëm pak muaj më parë.

 Fillimet në Shkodër dhe Tiranë, studimet në konservatorë prestigjiozë si “Giuseppe Verdi” në Torino, specializimet në Paris e Salzburg, dhe përvoja në skena të njohura si “La Scala” në Milano dhe “Theater Münster” në Gjermani, i kanë hapur rrugë një karriere të shquar si pianiste dhe më pas dirigjente. Aktualisht, Laro shërben edhe si dirigjente në Operën e Berlinit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë