Kosova

Rikthehet dialogu Kosovë- Serbi, kryenegociatorët takohen në Bruksel

Nga Gazeta ‘Si’- Një raund i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, pritet të mbahet sot në Bruksel nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Peter Sorensen.

Takimi do të zhvillohet pas vizitës së Sorensenit në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar dhe mësohet se i dërguari i bllokut do të zhvillojë bisedime të ndara me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, si dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviç.

Më pas pritet edhe një takim trepalësh mes tyre.

Mësohet se në agjendë të rundit të ri do të jetë Deklarata e përbashkët për personat e zhdukur, për të cilën kishin arritur pajtueshmëri më 2023 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Palët u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve në dhjetor 2024 në Bruksel.

Takimi i parë ishte parashikuar të mbahej në janar, por pala serbe nuk pranoi të merrte pjesë për shkak të veprimeve për mbylljen e zyrave që mbështeten nga Serbia në Kosovë.

Takimi i sotëm do të jetë i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës këtë vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë