Pas më shumë se dy muaj shkëputjeje, mbrëmjen e kësaj të marte rikthehet Liga e Kampionëve. Tashmë fillon faza më emocionuese me eliminim direkt, aty ku të gjitha ekipet kërkojnë të bëjnë maksimumin dhe ku një gabim sado i vogël, mund të të çojë në shtëpi. Do të jenë dy ndeshjet që luhen këtë të martë, me Romën që pret Porton në “Olimpico” dhe Mançester Junajtid – PSG në “Old Traford”.

Kur u hodh shorti, drejtuesit e Romës u ndjenë disi të çliruar, pasi ia dolën që të paktën në raundin e parë të shmangnin një nga pretendentet kryesore të këtij kompeticioni. Por sfida me Porton, dy herë fituese e këtij kompeticioni nuk mund të jenë kurrsesi momente relaksi. Portugezët do të zbresin e fushën e Romës me dëshirën e madhe për të bërë një surprizë të bukur. Roma që vitin e shkuar shkoi deri në gjysmë finalet e Ligës së Kampionëve këtë herë janë në pozita shumë ndryshe dhe kjo ndeshje shikohet si një kamerdare shpëtimi për teknikun Di Françesko. Ndeshja do të startojë prej orës 21:00 dhe sipas të gjitha lajmeve të orëve të fundit, ekipet do të zbresin me formacionet e plota.

Ndërkohë ndeshja tjetër e kësaj të martë do të vërë përballë dy gjigandë të futbollit europian. Një Mançester Junajtid i rilindur me Solskajer përballë një PSG që në letër duket e frikshme, por në arenën ndërkombëtare gjithmonë ka treguar se i mungon diçka. Në 9 nëntë ndeshje që drejton Mançesterin, trajneri norvegjez nuk ka asnjë humbje, por kjo e martë pritet të jetë një provë e vërtetë force dhe karakteri për të tijtë. PSG do të zbresë në fushën e “Teatrit të Ëndrrave” pa “yllin” e saj më të madh, Nejmar. Braziliani është i dëmtuar dhe nuk mund të luaj në këtë ndeshje të parë. Por nuk ka vend për panik, pasi në fushë për francezët do të zbresë një tjetër yll, si Kilian Mbape. Përballja nuk ka një favorit paraprak dhe në bazë të sulmeve të të dyja ekipeve priten shumë gola.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




