Lojëra me Dore

Rikthehet “alieni”, Stephen Curry shënon 62 pikë në fitoren e Golden State

I jashtëzakonshëm Stephen Curry, autor i 62 pikëve në fitoren 137-122 të Golden State ndaj Portland. Një ndeshje spektakolare për Curry, i cili është kthyer si në kohët e tij të arta. Një paraqitje për kornizë, më e mira deri në këtë sezon në NBA.

Asnjëherë më parë Curry nuk kishte arritur në këtë kuotë pikësh. Ai ka regjistruar një përqindje të jashtëzakonshme në gjuajtje: 58% në total (18/31), 50% në gjuajtjet për 3 pikë (8/16) dhe 94.7% në gjuajtjet e lira (18/19). Basketbollisti 32-vjeçar është lojtari i dytë më i vjetër në historinë e NBA-së, që në një ndeshje shënon më shumë se 60 pikë. Përpara tij është vetëm Kobe Bryant, i cili i realizoi në ndeshjen e fundit të karrierës ndaj Utah, kur ishte 37 vjeç.

Curry përgëzohet nga një shok skuadre për rekordin e pikëve. Gazeta Si, 4 janar 2021

Stephen është një fenomen absolut, një revolucionar i lojës. Këto 62 pikë, në një farë mënyre, u rikthejnë simbolikisht talentin e tij të pasionaurve pas basketbollit, të cilët patën mundësinë ta shihnin vetëm 5 ndeshje sezonin e shkuar. Curry arriti të shënonte nga çdo pozicion. Ai ka përmirësuar rekordin e tij të pikëve, atë të 54 pikëve të shënuara më 27 shkurt 2013 ndaj Knicks. Me atë paraqitje ai u fut në hartën e yjeve të basketbollit amerikan.

Kanë fituar ndërkohë edhe dy skuadrat e Los Angeles, të dyja në transfertë. Lakers fituan në Memphis, kurse Clippers në Phoenix. Janë kthyer te suksesi edhe Denver Nuggets të Jamal Murray dhe Nikola Jokic. Ishte një shëtitje ndeshja e Utah Jazz në San Antonio, ndërsa Chicago Bulls ka mundur Dallas Mavericks pa Luka Donçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë