Ka ndodhur

Rikthehen reshjet e dëborës në Dibër, bllokohet sërish Rruga e Arbrit

Gazeta Si – Dita e parë e muajit shkurt ka nisur me reshje të dendura të dëborës në Dibër dhe Bulqizë, ku si pasojë është bllokuar edhe Rruga e Arbrit.

Reshjet kanë nisur në orët e para të mëngjesit dhe trashësia e borës në qytetin e Peshkopisë ka arritur në 10 cm, ndërsa në zonat e thella arrin deri në 30 cm.rrugët nacionale janë të kalueshme me zinxhirë.

Rruga e Arbrit, Bypass-Qafë Murriz kalimi është  bllokuar dhe kontraktorët po punojnë për hapjen e saj me 4 mjete borëpastruese për hapjen e saj.

Si rrjedhojë, Policia Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas nëpërmjet bypass- Qafë Murriz të ndjekin aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz dhe të mos shkaktojnë trafik.

Akset rrugore kryesore Bulqizë-Peshkopi; Bulqizë-Klos; janë të kalueshme, drejtuesit të mos qarkullojnë pa goma dimërore dhe të jenë të pajisur me mjetet anti-rrëshqitëse.

Policia e Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, të shmangin lëvizjet e panevojshme, të moderojnë shpejtësinë dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë.

“Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112 ose dërgoni njoftim në Komisariatin Dixhital”, njofton policia rrugore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë