Në Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar zyrtarisht ambasadës amerikane për të kërkuar informacion mbi deputetin Tom Doshi, i cili rikandidon edhe në zgjedhjet e 25 prillit
Sipas Zërit të Amerikës, Doshi është në listën e 28 kandidatëve që Komisioni Qendror i zgjedhjeve i ka nisur për verifikim Prokurorisë së Përgjithshme.
Pak ditë më parë, kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi shpjegoi se “në rastin e zotit Doshi KQZ ka marrë shtysën nga të dhëna publike, që e nxitin t’i kërkojë prokurorisë informacione të tjera, veç atyre që ai ka dhënë në formularin e vetëdeklarimit, për të bërë vlerësim më të plotë mbi përputhshmërinë e kandidimit të tij për deputet. Por edhe në formularin e vetëdeklarimit ka të dhëna që shërbejnë si tregues për KQZ-në, për të kërkuar hetim të thelluar për kandidatin”, tha Celibashi.
LEXO EDHE:
– Kush është kryetari i PSD-së? KQZ: Tom Doshi jo!
– PD: Tom Doshi të mos regjistrohet në zgjedhje. Kreu i PSD: Do jem faktor, s’tërhiqem nga gara
– Rama: Tom Doshi është engjëll para Saliut dhe Ilirit
– Thirrja e Yuri Kim për PS: Distancohuni nga Tom Doshi
– Tom Doshi dhe 11 kandidatë të tjerë për verifikim të thelluar
– Tom Doshi i thotë SHBA-së se me votën e tij u miratua reforma në drejtësi… pasi politikanët u paralajmëruan se do futeshin në listën e zezë
Në letrën drejtuar ambasadës amerikane, Prokuroria e Përgjithshme, kërkon të dijë informacionet që kjo ambasadë disponon rreth Doshit, nisur dhe nga fakti që Departamenti Amerikan i Shtetit, në Prill të vitit 2018, vendosi që t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara atij dhe anëtarëve të tjerë të familjes së tij.
Ndërkaq, ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka bërë thirrje të përsëritura për të penguar rikandidimin e Tom Doshit.
Pas përgjigjes nga ambasada amerikane, Prokuroria shpjegon se do të vlerësojë hapat e mëtejshëm, në varësi të informacionit që do të marrë.
Ndërkohë ajo ka nisur veprimet për kandidatët e tjerë, duke kërkuar fillimisht informacion nga të gjitha institucionet vendase.
Bëhet fjalë për 5 kandidatë nga Aleanca ABEKO, 2 nga Bindja Demokratike, 2 nga Lëvizja për Ndryshim, 1 nga Lëvizja e Re, 6 nga LSI, 2 nga Nisma Thurrje, 4 nga Partia Demokratike, 3 nga Partia Socialiste dhe 3 nga Partia Social-Demokrate.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



