Epidemiologët na kanë treguar që në fillim të pandemisë që mund të ndodhin riinfeksione me COVID-19. Një nga riinfeksionet e para të raportuara ishte në një burrë 33-vjeçar nga Hong Kongu. Infeksioni i tij fillestar u diagnostikua më 26 mars 2020, me pas riinfeksionin i tij i dytë ndodhi 142 ditë më vonë.
Që atëherë raportet e riinfeksionit janë bërë të zakonshme, veçanërisht nga shfaqja e variantit Omicron. Hulumtimet e hershme nga Afrika e Jugut tregojnë se rreziku i riinfeksionit u rrit më shumë me identifikimin e këtij varianti.
Pra, pse po rriten riinfeksionet? Përgjigja e thjeshtë është sepse imuniteti ynë shpesh nuk është më mjaftueshëm i fortë për të parandaluar një infeksion. Kjo mund të jetë për shkak të shfaqjes së një varianti të ri viral si Omicron, i cili, nga mutacionet në formën e tij, është më pak i njohur për sistemin imunitar, që do të thotë se virusi anashkalon imunitetin e mëparshëm. Ekspertët e shëndetit publik në Britani shpjegojnë se koronavirusi pothuajse gjithmonë hyn në trupin e njeriut përmes hundës dhe fytit. Imuniteti në mukozën e këtyre zonave ka tendencë të jetë relativisht i shkurtër në krahasim me imunitetin sistemik në të gjithë trupin. Kjo mund të shpjegojë pse mbrojtja kundër sëmundjeve të rënda, zakonisht të rrënjosura në mushkëri, zgjat më shumë se mbrojtja kundër infeksionit.

Sa të shpeshta janë riinfeksionet?
Sipas ekspertëve që dikush të llogaritet si i riinfektuar, duhet të ketë 120 ditë ose katër teste të njëpasnjëshme negative PCR. Grupi i ekspertëve në Zyrën e Statistikave Kombëtare në Britani shpjegon se shkalla e riinfeksionit është rritur 15-fish që nga varianti Omicron dhe kjo tregon që varet se me çfarë varianti përballemi.
Në një raportim të fundit ata kanë shkruar se periudha e riinfektimit me variantin Omicron ka ndryshuar duke qenë më e afërt. Një individi ka rrezik për t’u infektuar pas 90 ditësh dhe jo pas 120 ditësh.
Ekspertët shtuan gjithashtu se infeksionet primare te personat e vaksinuar (të cilët kanë njëfarë imuniteti ndaj COVID) janë përgjithësisht më pak të rënda se infeksionet tek personat e pavaksinuar (të cilët nuk kanë ndonjë imunitet) – kjo është arsyeja pse normat e shtrimit në spital janë më të ulëta në mesin e të vaksinuarve.
Kjo sjell dhe faktin që në përgjithësi riinfeksionet duhet të jenë më pak të rënda se infeksionet parësore, pasi personi që do të riinfektohet do të ketë njëfarë imuniteti paraekzistues nga infeksioni i tij primar.
A forcojnë imunitetin riinfeksionet?
Sipas ekspertëve, me siguri po. Një infeksion i vetëm, i mëparshëm jep mbrojtje të ngjashme kundër infeksionit me Omicron si dy doza vaksine, kështu që është e arsyeshme të mendohet se riinfeksionet do të rrisin gjithashtu imunitetin.
Por një imunitet i tillë ende nuk do të jetë 100% mbrojtës. Ata shtojnë se ka prova të njerëzve që janë riinfektuar disa herë dhe nuk kanë krijuar një imunitet të fortë. Kjo, megjithatë, nuk është definitive pasi çdo individ ka imunitet të ndryshëm.
Burimi:The Conversation/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje