Barrikada, e cila ndodhej dy kilometra larg pikës kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë, është hequr mëngjesin e së enjtes.
Largimin e barrikadës në Merdare e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Në një komunikatë për media policia tha se “rruga e cila ishte bllokuar më 27 dhjetor në kilometrin e dytë brenda në Serbi, sot në orën 09:50 është liruar për qarkullim”.
Personat që ishin të pranishëm në këtë vend ku ishte bllokuar rruga, thanë se ishin pjesërisht të kënaqur me marrëveshjen e arritur mbrëmjen e së mërkurës.
Ata theksuan se po veprojnë në koordinim me pjesëtarët e komunitetit serb nga Kosova.
Më 27 dhjetor, pika kufitare në Merdare u mbyll nga Policia e Kosovës pasi një grup serbësh në Serbi kanë bllokuar rrugën për në kufi.
Për të enjten është paralajmëruar edhe largimi i barrikadave nga rrugët e pjesës veriore të Kosovës.
Barrikadat në veri janë vendosur me 10 dhjetor si kundërshtim ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Qendror në Mitrovicë të Veriut si dhe Zubin Potok./ REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




