Nga Aleksandër Marku- Për herë të tretë nga shtatori i vitit 2015 kur krijoi qeverinë “Tsipras 2”, kryeministri grek kreu riformatimin e tretë dhe sipas gjasave të fundit të kabinetit të tij. Një formacion qeveritar që do të çojë vendin në zgjedhjet parlamentare pas shtatorit të vitit 2019. Duke mos harruar këtu se Greqia ka zgjedhje bashkiake në maj të vitit që vjen, zgjedhje të cilat zhvillohen të njëjtën ditë me ato për deputetët e Parlamentit Europian.
Pra e parë në këtë prizëm, qeveria e re Tsipras është një formacion i gatshëm për “betejat” e ardhshme elektorale. Synimi i saj është më se i dukshëm: Τë japë efektivitet të plotë në mënyrë që SYRIZA të marrë një mandat të ri katërvjeçar, tashmë jo më nën “zgjedhën” e kreditorëve të huaj.
Kabineti i ri qeveritar përmban 53 politikanë, ministra, ministra plotësues dhe zëvendësministra, përveç kryeministrit. Tepër i madh në numër dhe kjo jo pa arsye. Në këtë periudhë zgjedhore, çdo politikan dhe aq më tepër Tsipras, i cili deri tani ka fituar të gjitha betejat elektorale me rivalët e tij, kërkon edhe një fitore të re.
Duke hedhur vështrimin drejt kabinetit të ri Tsipras, gjëja e parë që veçon shumëkush është fakti që mosha mesatare e kësaj qeverie është më e ulta se e çdo qeverie parardhëse në historinë e Greqisë. Ministrja më e re e kabinetit është vetëm 30 vjeçe. Gjithashtu në qeveri hynë 13 politikanë të rinj, pas largimit të tetë ministrave. Bashkë me gjashtë politikane të reja numri i grave në kabinet, tashmë shkoi në 13.
Strategjia parazgjedhore e Tsipras
Që kur u dëgjuan emrat e rinj të kabinetit, u vu re se përveç të tjerash Tsipras bëri një hapje përkundrejt dy poleve të dikurshme të politikës greke për gati katër dekada, socialistëve të PASOK-ut dhe konservatorëve të Demokracisë së Re. Janë të paktën tre emra që vijnë nga gjiri i PASOK-ut të dikurshëm, që për hir të së vërtetës ka shërbyer në gjithë këto vite, si një depozitë për të majtët e SYRIZA-s. Dhe kjo nuk e shqetëson aspak liderin grek, përkundrazi. Por ai emëroi edhe një zv/ministre, Katerina Papakosta, dikur një nga emrat më në zë të Demokracisë së Re në periudhën e kryeministrave Karamanlis dhe Samaras.
Dhe kjo përbën surpizën e radhës, pasi zonja në fjalë, bashkë me një prej bashkëpunëtoreve më të ngushta të Tsiprës, zonjën Olga Gerovasili, do të kenë në dorë Rendin në Greqi. Ky dikaster me aromë gruaje për herë të parë në historinë greke, tashmë u bë ministri më vete duke ikur nga ministria e Brëndshme, në një periudhë jo dhe fort të përshtatshme. Me çështje tepër të mprehta të ditës si siguria, terrorizmi dhe emigracioni. Synimi i Tsipras është i qartë: Asnjë votë të mos shkojë e humbur nga e majta në qendër e deri në të djathtë. Duke përjashtuar skajet, nga e djathta ekstreme e Agimit të Artë dhe disa elementëve në gjirin e konservatorëve e deri tek ish-marksitët e majtë dikur në gjirin e partisë së tij, ai synon për një front më të gjërë progresiv, për një formacion të madh demokratik.
Dy “gardianet” e Rendit
Olga Gerovasili, një nga më besniket e Tsiprës që merr postin e ish ministrit Toska, i cili dha dorëheqjen disa ditë më parë për shkak të zjarreve vrastare që morrën jetën e të paktën 97 personave në Mati të Atikës, do të ketë para saj përballje të vështira siç janë protestat e shtatorit në Selanik në kuadrin e Panairit Ndërkomëbëtar që zhvillohet në fillim të muajit, si dhe të atyre për emrin e Maqedonisë në prag të referendumit në shtetin fqinj verior të Greqisë. Gjithashtu grupi radikal i quajtur “Rubikonët”, që nuk kanë lënë ministri e dikaster pa hyrë e duke shpërndarë trakte antiqeveritare, ka ironizuar vendimine kryeministrit që u ka dhënë keto poste dy grave.
Zëvendësja e saj Katerina Papakosta, dikur shprehej me komente tepër irrituese për kryeministrin e sotëm, tashmë duhet jo vetëm ta dëgjojë, por edhe të zbatojë udhëzimet e tij. Pa dyshim që askush nuk i mohon veprën e saj në vitet e fundit për të ndihmuar fëmijët me aftësi të kufizuara.
Ministrja 30 vjeçare e Tsiprës
Quhet Katerina Notopoulou dhe deri dje ishte drejtoresha e zyrës kryeministrore të liderit grek në Selanik. Tashmë do të drejtojë Ministrinë e Maqedonisë dhe Trakës, një dikaster shumë simbolik për Greqinë e Veriut. Me diplomë në psikologji, pak karrierë në teatër, e më pas me master në Politikat Rinore Europiane, ajo është ministrja më e re e kabinetit të ri.
Përse Tsipras bëri riformatim?
Prej 20 gushtit kur kryeministri grek deklaroi se Greqia nuk është më e ndërvarur nga kreditorët e huaj (pavarësisht se do të paguajë vazhdimisht për të paktën 40 vjet borxhet), pritej nga dita në ditë edhe riformatimi i qeverisë. Kjo për faktin se Tsipras, tashmë i liruar nga detyrimet e takimeve me trojkën dhe urdhërat e saj, kërkon të ndryshojë shumë prej politikave të qeverisë së tij, sidomos ato sociale.
Grekët janë mërzitur, janë indinjuar, janë gjunjëzuar për më shumë se tetë vjet nga klasa politike greke dhe zgjidhjet e saj. Ndaj duan shumë shpejt një ndryshim, kryesisht në të ardhurat e tyre. Mos të harrojmë se Greqia është një nga vendet me taksat më të larta në Europë, me pagën bazë më të ulët, me papunësinë tepër të lartë, me probleme të pazgjidhura historike me fqinjët e saj, sidomos me Turqinë dhe me fenomenin e emigracionit në kulmin e tij në BE.
Ndaj Tsipras nuk ndryshoi disa prej ministrive bazë, si p.sh. kreun e diplomacisë Nikos Kotzias, i cili i solli suksesin e gjetjes së emrit me IRJM-së. Apo ministrin e Financave Euklidhis Tsakalotos që hoqi gjithë barrën e zbatimit të programit të fundit të shpëtimit të Greqisë dhe daljen e vendit nga ky program.
Tre zgjedhjet e ardhëshme brenda një viti në Greqi, ato bashkiake, ato për Parlamentin Europian dhe ato për parlamentin vendas, do të jenë një luftë e fortë mes konservatorëve dhe partisë së kryeministrit aktual. Javën që vjen Tsipras do të japë nga Selaniku direktivat e qeverisjes së tij në këto muaj të mbetur, por çështja është që ato të zbatohen sa më mirë. Ndryshe betejat zgjedhore të tij do të dështojnë.
Ai kërkon tashmë të ndryshojë imazhin e Greqisë ,duke u treguar ish kreditorëve dhe tregjeve, se vendi i tij do të ketë vazhdimisht teprica primare të nivelit 3.5% të PBB, do të mundë të ndihmojë shtresat e varfëra, por edhe ato të mesme, do të sjellë investime të reja.
Ai e di fort mirë se në se do ta arrijë këtë, jo vetëm do të mbijetojë politikisht, por edhe do të shkruajë historinë në Greqinë e pas- krizës. Përndryshe do të hyjë edhe ai në faqet e errëta të librit me politikanët e dështuar grekë të viteve të fundit. Sfida është e jashtëzakonshme, sepse edhe kundërshtarët e tij kanë shumë armë në duart e tyre.
Për më tepër, pejsazhi politik tashmë në Greqi, ashtu si dhe në shumë vende te tjera europiane, i ngjan një pazëlli me shumë copa, pasi grupimet politike kanë humbur polarizimin e tyre të madh dhe janë katandisur në copa të shkërmoqura tutje e tëhu. Ai që do të mund ti mbledhë dhe të krijojë një figurë të qëndrueshme, do të jetë fituesi i zgjedhjeve. Dhe kësaj here votuesit, qytetarët, nuk do të falin më asnjë faj, sado i vockël qoftë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.